“Murtaja e pulave” në Maqedoninë e Veriut mobilizon Kosovën që s’ka ende raste
“Murtaja e pulave” që ka prekur Maqedoninë e Veriut, ka bërë që Kosova të vendosë masë të përkohshme të ndalimit të importit të vezëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje.
Por, deri tash asnjë rast nuk është shënuar në Kosovë. Rasti i fundit ishte në vitin 2003, ku për pasojë një numër i konsiderueshëm i pulave ishte asgjësuar në komunën e Gjakovës.
Kështu ka bërë të ditur për KOHËN, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi. Ai ka sqaruar se kjo sëmundje nuk bartet te njerëzit, derisa ka potencuar se e njëjta konsiderohet si sëmundje ekonomike pasi shkakton dëme te fermerët.
Për trajtimin e saj, Thaçi ka thënë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme. Sipas tij, AUV-ja e posedon laboratorin për testim dhe detektim të kësaj sëmundjeje, duke shtuar gjithashtu se ka vaksina për trajtimin e saj. Ai ka thënë se nëse kërkohet superanalizë, e njëjta bëhet në Itali.
“Sëmundja New Castle Disase. (Murtaja Atipike e shpezëve) është sëmundje virusale e cila i prek të gjitha shpezët, si ato shtëpiake dhe të egra. Nuk bartet tek njeriu, ka më shumë karakter ekonomik sepse ka një ngordhshmëri të lartë tek fermat apo zonat e prekura. Në Kosovë për herë të fundit prezent ka qenë në vitin 2003, dhe është paraqitur në regjionin e Gjakovës. Ne atë kohë autoriteti Veterinarë i Kosovës ende ka qenë i udhëhequr nga UNMIK-u. Janë krijuar shtabet emergjente dhe janë hartuar planet kontingjente të reagim dhe me suksese është arritur pengimi i përhapjes se sëmundjes në ferma apo zona tjera”, ka thënë ai.
Nga ajo kohë, thotë Thaçi, AUV-ja ka të përgatitura kapacitetet për luftimin dhe parandalimin e kësaj sëmundje.
“Ekziston vaksina kundër sëmundjes e cila brenda një viti duhet përsëritur disa herë për të arritur që të fitohet imunizimi i pulave. Për shumë vite AUV-ja ka zhvilluar politikat për parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundje duke vaksinuar. Ne kemi edhe kapacitete laboratorike dhe metoda të zhvilluara për detektimin sëmundjes”, ka shtuar ai.
Ai tutje shton se pas lajmërimit të publikuar në faqen zyrtare të autoritetit të Maqedonisë së Veriut të Ushqimit se kanë detektuar sëmundjen, AUV-ja më 13 maj ka nxjerrë vendim për masën e ndalesës së përkohshme për shpezë dhe produkte e nën-produkt të shpezëve për Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq Arlinda Gashi, asistente në drejtimin Blegtori në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për KOHËN se murtaja mund të transmetohet te njeriu vetëm nëse konsumohet ndonjë produkt ose nënprodukt i shpezëve të sëmurë.
“Si shumë sëmundje, sigurisht edhe mortaja bartet prej kafshëve tek njeriu. Nëse konsumohet një vezë, mish apo ndonjë nënprodukt i pulës normal që do ta prekë edhe organin e njeriut”, tha ajo.
Duke marrë parasysh situatën me COVID-19, në rast të shpërndarjes së mortajës, Gashi është shprehur skeptike se mund të menaxhohet me situatën.
“Duke pa gjendjen aktuale në Kosovë tash që është edhe me COVID-19, nuk kemi kapacitete aq të mjaftueshme të menaxhojmë edhe me mortajën. Ne kemi pas edhe më herët gripa tjerë por që nuk kanë arritur në Kosovë. Mendoj që nëse e përfshinë Kosovën, do të jetë e vështirë të menaxhohet”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka shtuar se përmes shpendëve që fluturojnë, sëmundja nuk transmetohet te njerëzit.
Për herë të fundit me këtë sëmundje, Kosova është ballafaquar në vitin 2003. Më një udhëzim të Ministrisë së Bujqësisë, në atë kohë në rajonin e Gjakovës, ishte bërë asgjësimi i një numri të madh të shpezëve. Ndërkaq në vitin 2007 importi i shpezëve dhe prodhimeve të tyre ishte ndalur edhe me Serbinë për shkak të murtajës së pulave.