Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës vizitoi SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë, ku u prit nga Drejtoresha Nacionale e SOS Fshatrave të Kosovës, znj. Nezahate Ramadani Salihu dhe Drejtoresha e Programit të SOS Fshati, znj. Ora Bytyçi.
Fondacioni SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë vepron që nga viti 1999 dhe deri më tani është përkujdesur për mbi 1000 fëmijë të braktisur, pa përkujdesje prindërore dhe nevojtarë. Aktualisht, fondacionit SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, ofron strehim, përkujdesje, edukim dhe përkrahje për afër 700 fëmijë përmes pesë projekteve, prej të cilave projektit më i madh është ai për kujdesin e fëmijëve pa përkujdes prindëror. Në kuadër të këtij projekti, përmes SOS Familjeve, SOS Fshati për Fëmijë përkujdeset për 45 fëmijë të braktisur dhe fëmijë pa përkujdesje prindërore të moshës 0 – 14 vjet.
Ky institucion është shumë i rëndësishëm për shoqërinë tonë. Aty fëmijëve u ofrohet një kujdes familjar, por edhe profesional. Aty ata formësohen, aftësohen dhe pavarësohen. Lidhjet të cilat krijohen në mes stafit përkujdesës dhe fëmijëve të strehuar janë të përjetshme, dhe shpesh herë të barazvlefshme me lidhjet biologjike fëmijë-prind.
Kryeministri u njoftua se asnjë Qeveri deri më tash nuk e ka përkrahur SOS Fshatrat e Fëmijëve, përkatësisht fëmijët në këto institucionet. Me këtë rast, ai shprehu interesimit për të konsultuar format se si një ndihmë apo përkrahje nga Qeveria mund të realizohet./InLajmi/