Amir Rrahmani do të përshendetet në mënyrën më të mirë të mundshme me Hellas Veronën, duke e ndihmuar këtë skuadër drejt kualifikimit në Ligën e Europës, përcjell InLajmi.
Amir Rrahmani shkëlqeu që në gjysmë-sezonin e tij të parë në Serie A me Hellas Veronën, teksa gjatë janarit nënshkroi kontratë me Napolin dhe do t’iu bashkohet gjatë verës.
Mirëpo, mbrojtësi i Kosovës ka një synim me Hellas Veronës para se të largohet, në rast se vendoset për vazhdimin e garave të futbollit në Itali.
“Që nga dita e djeshme, ne kemi filluar të jetojmë jetën tonë pak më shumë si më parë. Është më e vështirë, nuk ka asnjë motivim. Nëse rikthehemi, dëshirojmë që të mbledhim sa më shumë pikë dhe të provojmë të shkojmë në Evropë. Gjëja më e rëndësishme është që të japim më të mirën” – ka thënë Rrahmani në ‘Instagram’.
Deri para se të pezullohen aktivitetet sportive, Hellas Verona kishte grumbulluar 35 pikë dhe renditet në pozitën e tetë, me vetëm katër pikë më pak se Napoli që renditet në vendin e gjashtë.
Pozita e gjashtë nga Serie A siguron pjesëmarrjen në kualifikime të Ligës së Europës. /InLajmi/