Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka kujtuar sot 30 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit të Gjaqeve në Verrat e Llukës i cili u mbajt nën drejtimin e Anton Çetës, përcjell InLajmi.
Veseli tha se Përkundër rrethimit policor, ky kuvend tuboi qindëra mijëra qytetarë dhe pajtoi 106 gjaqe. Përmes shtrirjes së dorës së pajtimit, Kosova nxori në sipërfaqe dhe lartësoi vlerat më sublime humane.
“Uniteti i çimentuar prej procesit të pajtimit të gjaqeve u kurorëzua me luftën çlirimtare të popullit tonë. Respekt e mirënjohje për të gjithë organizatorët, për të gjithë pjesëmarrësit në atë tubim, dhe akoma më shumë, për ato familje që falën gjaqet e të afërmve të tyre për hir të çështjes kombëtare” shkroi Veseli në facebook.
Ai tha se Verrat e Llukës shënuan një kthesë të madhe në historinë e Kosovës, duke vetëdijësuar popullin tonë se vetëm bashkimi na bën të fortë për të përballur me sukses sfidat e mëdha. Mesazhi i atëhershëm, i pajtimit e bashkimit, ka vlerë edhe për sot, kur po përballemi me një tjetër armik të ndryshëm e të padukshëm. Duhet që edhe sot të ndjekim shembullin e atëhershëm, për të lënë mënjanë ndasitë politike, në mënyrë që të bashkojmë energjitë në luftën kundër koronavirusit./InLajmi/
https://www.facebook.com/kadriveseliofficial/videos/260633521780938/?t=1