Trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, ka shprehur paknaqësitë e tij me vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë duke thënë se fillimi i stërvitjeve është dashur të parashihet në fazën e parë dhe fillimi i ndeshjeve në fazën e dytë, transmeton InLajmi.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mbrëmë në një nga emisionet televizive tha se fillimi aktiviteteve sportive është paraparë në fazën e tretë, pra pas 15 qershorit.
Por, me këtë plan nuk po pajtohet edhe trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, i cili tha se fillimi i aktiviteteve sportive është dashur të parashihet në fazën e dytë.
“Te them të drejtën si pikë e parë nuk di se kënd e ka këshilltar ministri Vitia për ta këshilluar dhe udhëzuar drejt” – tha fillimisht Tovërlani për ‘Gazetën Infokus’.
“Për momentin jam duke e analizuar se si mund ta përfundojmë edicionin në kohen e caktuar nga UEFA me afatin të cilin e ka caktuar ministri. Jam duke llogaritur sa do të jenë humbjet e ekipeve të cilat do të dilnin në garat e UEFA-s e ato rezultojnë me miliona. Situata me pandeminë është duke u qetësuar dhe shumë kampionate evropiane po behën gati të rifillojnë. Mendoj që futbolli është dashur të hyjë në fazën e dytë me ndeshje, kurse me stërvitje ne fazën e parë” – ka deklaruar Afrim Tovërlani.
Kujtojmë që UEFA ka paralajmëruar kampionatet europiane që garat t’i përfundojnë deri në fundin e korrikut. Shtëpia e futbollit europian gjithashtu i ka dhënë ultimatum ligave europiane që para 25 majit të vendosin nëse janë për vazhdimin e garave apo jo./InLajmi/