Deputeti i AAK-së Gazmend Syla, ka reaguar ndaj inicimit të aktakuzave nga Prokuroria e Specializuar, për krimet e luftës, përcjell InLajmi.
Syla ka thënë se këto ngritje të akuzave janë të njëanshme dhe kanë për qëllim që të njolloset lufta e pastër e UÇK-së.
“Ne në këtë kohë jemi në përvjetorët e masakrave më të mëdha që ka kryer Serbia në Kosovë, dhe ngritja e padive duhet të behët për ata që kanë kryer gjenocid në Kosovë e për këtë tashmë është në dijeni edhe drejtësia ndërkombëtare. Kjo Gjykatë ka për qëllim njollosjen e luftës së pastër të UÇK-së, dhe figurave eminente të përfaqësueseve të kësaj lufte që për qëllim të vetëm kishe lirën e popullit të saj”, u shpreh ai për infokus.
Syla deklaroi se drejtësia duhet të kërkohet nga ata që kanë kryer gjenocid në Kosovë, e jo nga ushtarët e UÇK-së.
“Gjykim duhet të kryhet për kriminelet serbë që kanë bërë krime në Kosovë e që kurrë nuk dolën para drejtësisë. 1641 persona janë të zhdukur e për këtë përgjegjësja kryesore është Serbia nga ky shtet duhet të kërkohet llogari”, përfundoi deputeti Syla./InLajmi/