Ashtu si në botë edhe në Kosovë po planifikohet fillimi i stërvitjeve , Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, tha se këto do të bëhen fillimisht me grupe të vogla, transmeton InLajmi.
Ashtu si në vendet e tjera të botës, përhapja e koronavirusit ka pezulluar aktivitet sportive edhe në Kosovë. Mirëpo, klubet e futbollit kosovar pritet që në ditët e para të majit t’i rikthehen punës në grupe të vogla.
Kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cili konfirmoi se po planifikohet që nga jave e ardhshme t’u lejohet klubeve që të stërviten në grupe të vogla dhe duke respektuar distancën sociale.
“FFK do të bisedojë me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi në mënyrë që prej javës së ardhshme t’ua lejojmë klubeve që të stërviten në grupe të volga gjithnjë duke e ruajtur distancën sociale. Gjithashtu, të gjitha klubet do të jenë të obliguara që t’i dezinfektojnë hapësirat ku do të stërviten. Ne do të dalim me disa propozime pas mbledhjes” – ka thënë Salihu për ‘Zërin’.
Kurse sa i përket rifillimit të garave në futbollin kosovar, Eroll Salihu shpreson që kjo të ndodhë në mesin e muajt maj.
Edhe në Kosovë ndeshjet e mbetura do të zhvillohen pa praninë e tifozëve dhe me rregulla të veçanta. /InLajmi/