Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka informuar se Akademia Përkujtimore në Mejë, Gjakovë dhe Marshi Përkujtimor në Prishtinë, si aktivitete të përvitshme, për shënimin e 27 Prillit – Dita e të Pagjeturve të Kosovës, nuk do të mbahen për shkak të pandemisë COVID-19, shkruan InLajmi.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me KKAFZHDK dhe Shoqatën ’27 Prilli 1999, Mejë, ftojnë familjarët e personave të zhdukur dhe gjithë qytetarët që përkujtimi dhe homazhi për të zhdukurit dhe gjithë të rënët për lirinë e vendit, këtë vit, të bëhet duke respektuar masat e caktuara nga institucionet kompetente në parandalimin dhe luftimin e pandemisë, përmes të cilave ndër të tjera ndalohen edhe tubimet në masë”, thuhet në njoftimin e këtij komisioni.
27 Prilli shënon përvjetorin e Masakrës së Mejës së Gjakovës ku u vranë e zhdukën 376 shqiptarë, por edhe Dita për Persona të Zhdukur, e shpallur me vendim të Kuvendit në nderim të viktimave të kësaj masakre dhe gjithë të zhdukurve si pasojë e luftës në Kosovë, përkujton se në luftë nuk ka humbje më të madhe se sa rrëmbimi dhe zhdukja e më të dashurve.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur premtojnë se do të vazhdojnë të jenë në angazhim dhe përpjekje të vazhdueshme që familjeve të personave të zhdukur t’ua lehtësojmë barrën e pritjes dhe ankthit të pritjes t’i vijë fundi.
“Me këtë rast i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të shtojnë trysnin ndaj Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces, para se gjithash për të hapur arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave dhe për të ofruar informatat mbi fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur.”
Ndryshe, edhe 1641 persona, vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë./InLajmi/