Shkruan: Milazim Krasniqi
Tentimi i Kurtit që të mbahet pushteti me çdo kusht, në kulmin e pandemisë, ku nuk mund të ketë kurrfarë suksesi, nuk më duket mençuri. Poashtu, i rrëzuar me 82 vota në Kuvend dhe i braktisur nga të gjitha partitë e tjera, ai thjesht është i mbështetur për mur dhe nuk mund të bëjë asgjë. Asnjë iniciativë legjislative nuk mund ta lëvizë nga vendi, ndërsa njëra nga punët bazike të qeverisë është inicimi i ligjeve, punë që nuk mund të zëvendësohet me videomesazhe.
Paraprakisht i izoluar nga SHBA-të, Kurti politikisht është i paralizuar.
I rrethuar nga këshilltarë e bashëpunëtorë të papërgjegjshëm, që ftojnë për gjakderdhje e revidim antishqipar të historisë, Kurti e ka të pamundur ta kalojë si kryeministër një ditë pa skandale.
I shpërfaqur edhe si hakmarrës, duke bërë shkarkime të bordeve të ndërmarrjeve vitale publike, në mes të pandemisë, Kurti dëshmoi se nuk mund ta përmbajë hakmarrjen, gjë që paraqet rrezik serioz për shtetin e shoqërinë.
Duke tentuar të qëndojë në post, në këto kushte, Kurti po e harxhon edhe iluzionin e fanatikëve të tij, të cilët e kanë parë si supermen. Tash edhe ata po e shohin se sa i pafuqishëm është, se sa i izoluar është, se sa hakmarrës është. Nëse vazhdon ky dobësim i tij, Kurti do të ketë problemin kryesor në të ardhmen, bash me fanatikët e tij. Ata kanë ëndërruar që të punësohen, të futen në borde, të vrajnë e të kthjellin me grusht të hekurt, t’u hakmirren të tjerëve për të gjitha dështimet e veta.
Kjo është fallanga që identifikohet më të, që pret të zbatojë urdhërat e tij. Por, sapo të binden se idhulli i tyre është i pafuqishëm për t’ua realizuar ëndrrat e tyre të hallakatura, si hipokritë dhe profiterë që janë, ata do t’i ikin nga vathi elektoral. Pse? 1. Sepse asnjë parti shqiptare nuk don të bashkëpunojë me Kurtin, ndërsa pa bashkëpunim, kurrë nuk mund të formohet qeveri. 2. Kurti e ka përfundimisht dhe kategorikisht kundër SHBA-në. Ai mund të mos jetë antiamerikan, por SHBA-të janë antikurt. 3. Kurti faktikisht edhe veten e ka kundër, sepse dëshmoi se nuk është i përgatitur për të qeverisur si shtetar. Hakmarrja nuk është qeverisje. (Kur të ketë kohë, ia rekomandoj ta lexojë romanin “Festa e cjapit”, që ta kuptojë se ku përfundon pasioni për hakmarrje.)
Pra, pa bashkëpunim me partitë shqiptare, pa përkrahjen e SHBA-ve dhe pa maturi të madhe, veç fyellit nund t’i bie. (Sejfi Vllamasi rrëfen se si kryeminisrtri Fan Noli, i mbetur krejt vetëm, deri sa forcat e Zogut po hynin në Tiranë, ishte ulur në karrige dhe po i binte fyellit.)
E vetmja gjë që më mbetet peng për qeverisjen e Kurtit është se e çoi dëm një ëndërr të një pjese të rinisë, që naivisht ëndërronin për ndryshim të vërtetë. Pra për ata të rinj e të reja që kanë ëndrra për një shoqëri më të mirë. Këta më dhimbsen. Por nuk më dhimbsen aspak ajo pjesë e horrave që në emër të një kauze fantaste, e kanë fashistizuar komunikimin dhe ashtu janë bërë kërcënues për lirinë e secilit njeri të lirë, që don ta ketë mendimin e vet.
Personalisht mendoj se kjo qeverisje ishte një aksident. Në masë të madhe me fajin e kundërshtarëve politikë të Kurtit, që e ushqyen gjithë atë pakënaqësi në shoqëri dhe ashtu ia trasuan rrugën për fitore një lëvizjeje anarkiste.