Shumë aktivetete janë anuluar për shkak të izolimit si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit e me këtë rast edhe shumë notarë profesionistë të mos kenë mundësi të notojnë për t’u stërvitur, pasi pishinat janë mbyllur në shumicën e vendeve të botë, përcjell InLajmi..
Por kjo s’e ka ndalur një 13-vjeçare nga Bosnje-Hercegovina, Evelin Avdiç, e cila ka vendosur ta vazhdojë stërvitjen në një pishinë familjare të montuar brenda një serre, te shtëpia e gjyshërve.
Notarja jeton në kryeqytetin e vendit, Sarajevë, por izolimin e coronavirusit vendosi ta kalojë te gjyshërit në fshat.
Aty nisi ta mbajë trupin në formë duke vrapuar e duke bërë ushtrime, por kur masat kufizuese u shtuan edhe më shumë e kuptoi që nuk mjaftonin.
Për këtë arsye, ajo nisi të bëjë stërvitje në një pishinë të vendosur brenda një serre, në oborrin e shtëpisë, dhe noton teksa trupi i tërhiqet pas nga një litar elastik.
Avdiç është kampione dhe rekordmene në vendin e saj për stilin e lirë, 50-1500 metra, 100 metra, 200 metra, 400 metra stil të përzier, 200 metra stil delfini dhe 200 metra në shpinë.
Në Bosnje Hercegovinë janë konfirmuar më shumë se 1400 raste me COVID-19 dhe 19 të vdekur.
Ashtu si në vende të tjera botës, shumica e bizneseve dhe veprimtarive janë mbyllur, dhe banorëve u kërkohet të mos dalin nga shtëpitë./InLajmi/