Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë për media të përfaqësuar nga Deputeti i kësaj partie Gazmend Bytyçi, tha se deklaratat e Shkëlzen Gashit, këshilltar i kryeministrit në detyrë Albin Kurti kundër UÇK-së, përfaqësojnë mendimin dhe diskursin e lidershipit të VV-së, raporton InLajmi.
Këto deklarata sipas tij, tash e sa vite kanë kanë njollosur dhe shpifur ndaj gjithë luftëtarëve të lirisë.
Ish-pjesëtari i UÇK-së tha se deklaratat e Shkëlzen Gashit nuk janë as rast i veçantë, as aksidentale e as rastësore.
“Kjo është veç përpjekja e radhës e kësaj force politike për të denigruar luftën e lavdishme çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e saj. Gjatë pak javëve kemi dëgjuar Kurtin në seancë e shkarkimit që t’i quante mercenarë veteranët meqenëse shteti përkujdesej për ta”, ka thënë Bytyçi.
Ai tha se Grupi Parlamentar i PDK-së do të kërkojë që Kuvendi të miratojë shumë shpejt ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

“Qëllimi i këtij projektligji është që të bëj të obligueshëm institucionalisht mbrojtjen, respektimin dhe promovimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një ndër kapitujt më të lavdishëm të historisë së popullit tonë”, tha Bytyçi./InLajmi/