Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që pa u bërë një muaj që nga vendosja e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, ta heqë këtë vendim, përcjell InLajmi.
Një vendim i tillë pritet të jetë ndër të parët që do të marrë Lidhja Demokratike e Kosovës nëse merr kryesimin e Qeverisë së re.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës vlerëson se ndryshimi i masave brenda një periudhe të shkurtër kohore është duke dëmtuar ekonominë në vend.
Heqja e të gjitha masave të vendosura ndaj Serbisë ka qenë në vazhdimësi kërkesë e ndërkombëtarëve, në veçanti e emisarit amerikan Richard Grenell.
Por, sipas Jeta Krasniqit nga Institutit Demokratik i Kosovës, pozita e vendit karshi ndërkombëtarëve do të ishte më e fuqishme nëse do të kishte unitet politik në ndërmarrjen e veprimeve ndaj Serbisë.
Heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit kanë qenë pjesë e marrëveshjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Ky koalicion u prish në fund të marsit, vetëm pas rreth një muaji bashkëqeverisjeje./InLajmi/