Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu ka sqaruar organizimin e pyetje në konferenca për media nga ana e gazetarëve, duke thënë se do t’i udhëzoj tash e tutje gazetarët që pyetje t’i drejtojnë tek ai, kurse pyetjet te folësit, përcjell InLajmi.
Ai ka thënë se qëllimi i kësaj është që të organizohet renditja kronologjike e gazetarëve që do të marrin fjalën. “Krejt çka unë kërkoj nga gazetarët është që të ngritin dorën, veprim ky që paraqet kërkesë për pyetje, ashtu që t’ua përcaktoj një numër rendor – zakonisht nga 1 deri në 3”, ka thënë ai.
Reagimi i plotë:
Në çdo konferencë për media, unë si zëdhënësi Qeverisë u drejtohem gazetarëve në fillim për t’i informuar ata mbi qëllimin e konferencës dhe çështjeve që do të adresohen në të.
Në fund, i udhëzoj gazetarët që kërkesat për pyetje t’i drejtojnë tek unë, kurse pyetjet te folësit. Qëllimi kryesor dhe i vetëm i kësaj praktike është që unë të organizoj renditjen kronologjike të gazetarëve të cilët do të marrin fjalën.
Krejt çka unë kërkoj nga gazetarët është që të ngritin dorën, veprim ky që paraqet kërkesë për pyetje, ashtu që t’ua përcaktoj një numër rendor – zakonisht nga 1 deri në 3.
Kështu gazetarët e kanë të qartë se kur është rendi i tyre, kanë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe, duke qenë se si masë parandaluese kundër përhapjes se virusit ne kemi vendosur dy mikrofona statik ashtu që ta anulojmë mundësinë e shpërndarjes së virusit duke përcjellë mikrofonin ajror nga njëri te tjetri, ndër të tjerash kjo formë e organizimit mundëson që të gjithë të mbajnë distancën e rekomanduar.
Unë nuk ua kërkoj pyetjet paraprakisht, por as nuk bëj përzgjedhjen se cili gazetar/e mund të shtroj pyetje. Unë vetëm i rendis kronologjikisht kërkesat për pyetje. Për këtë mund të dëshmojë çdo gazetar i pranishëm në konferenca.
E gjithë kjo në shërbim të një organizimi të mirëfilltë, ashtu që Kryeministri dhe bashkëfolësi/ja të fokusohen në përgjigje, kurse gazetarët të fokusohen në pyetje pa e pasur ngarkesën për të rrëmbyer fjalën.
Pra kjo praktikë është vendosur për t’i ndihmuar gazetarët e assesi për t’i filtruar pyetjet e tyre./InLajmi/