Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në largim, Albin Kurti rreth qëndrimeve të tij rreth miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell InLajmi.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook, Sherifi e ka quajtur Kurtin servil, që bllokon mendimin kritik dhe e dëshiron të shites dashuri te pakushtëzuar.
“Në emisionin Debat Plus me Ermal Pandurin kur u pyet rreth qëndrimit të tij në raport me SHBA-të Albin Kurti deklaroi se ai i do SHBA-të, mirëpo sipas tij “nuk është as partneritet, as aleancë, as dashuri nëse e bllokon të menduarit kritik…Ky lloj serviliteti që e bllokon mendimin kritik dhe dëshiron të shitet si dashuri e pakushtëzuar na ka lënë shumë mbrapa. Mua më duken qesharak, sikur të mos ishin të gërditshëm, ata të cilët e duan Perëndimin, në mënyrë lindore”, ka shkruar Sherifi.
Sipas, sekretarit të Nismës, serviliteti dhe refuzimi janë dy qasje të gabuara. Ai ka thënë se Kurti është duke e humbur miqësin me ShBA-në në mënyrë lindore.
“Një frazë me plot kundërthënie por kësaj radhe do të trajtoj vetëm pjesën që ka të bëjë me “mënyrën lindore të shprehjes së dashurisë ndaj perëndimit”! Serviliteti dhe refuzimi janë dy qasje skajshmërish të gabuara. Nëse dashuria në mënyrë lindore ndaj perëndimit është e gërditshme, në asnjë rast nuk duhet të harrojmë se refuzimi në mënyrë lindore i perëndimit është i rrezikshëm!”, ka shkruar Sherifi.
Tutje Sherifi ka shtuar se “Të dy aspektet janë dy faqet e së njëjtës medalje. Servilizmi është i dëmshëm për shkak se nuk i mbron interesat e vendit edhe atëherë kur është e domosdoshme por nuk vë në rrezik prishjen e aleancave jetike, ndërsa REFUZIMI I PERËNDIMIT NË MËNYRËN LINDORE, mund të sjell pasoja të pa parashikueshme për kombin dhe shtetin duke i shkatërruar këto aleanca!”./InLajmi/