Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Kujtim Boletinit i cili kishte kërcënuar me vrasje Presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
Përmes një njoftimi nga Prokuroria e Kosovës thuhet se është ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kundër të pandehurit me inicialet K.P. veprën penale “Kanosje”, raporton Gazeta Insajderi.
I akuzuari përmes rrjetit të tij social Facebook, kishte kercenuar presidentin Thaci. Në profilin e tij ai kishte postuar dy armë ku kishte shkruar se gjumin nuk do ta lë rahat ta bëjë.
Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri me inicialet K.P. më 26.03.2020, nëpërmes rrjetit social “Facebook” ka kanosur seriozisht të dëmtuarin Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me punën e tij si person zyrtar, se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit, personi i tillë, ashtu që, në profilin e personit, Kujtim Boletini, të cilin vet e kishte hapur, ka postuar mesazh kërcënues me këtë përmbajtje, si vijon: “Sotë i zhdrypa pre tavani se ne kuvend po flitet për ndarjen e Kosovë nga Hashim Broja le te din Hashim Broja a kushdo qoftë aj se Ende jemi gjallë pjesa e veriut. Nuk e lejojmë ndarjen o Hashim Broja Dije se xhumin xhum sta la me ba”, duke i shoqëruar këto fjalë me dy fotot të dy armëve të gjata, me ç`rast tek i dëmtuari ka shkaktuar fikë dhe ankth se do t`i shkaktohet ndonjë e keqe atij apo familjes së tij nga i pandehuri K.P”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Për këtë veprim i pandehuri K.P. ka kryer veprën penale “Kanosje”
Boletini përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, kishte postuar një fotografi ku shihen dy armë dhe kishte shkruar për presidentin Thaci se gjumin gjumë s’do ta lë ta bëjë.
“Sot i zhdrypa preh tavani se në kuvend po flitet për ndarjen e Kosovës nga Hashim Broja le te dinë Hashim Broja a kushdo qoft ai se ende jemi gjallë pjesa e Veriut. Nuk e lejojmë ndarjen o Hashim Broja, dije se gjumin, gjumë stala me bo”, ka shkruar Boletini.
Këtë postim, i dyshuari më pas e ka fshirë.