Para disa minutave, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se gjatë ditës së sotme 79 persona kanë dalë pozitiv me coronavirus duke e çuar numrin e përgjithshëm në 362.
Sipas të dhënave të IKSHP-së, një nga personat që kanë dalë pozitiv është nga Rahoveci.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar që personi i infektuar nga fshati Kramovik, është infermiere e cila aktualisht punon në Spitalin Amerikan në Prishtinë dhe e njëjta jeton në Prishtinë.
“Dhe mendohet se nuk ka pasur kontakte me qytetarë nga komuna e Rahovecit, kështu që nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar. Të infektuarës i uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Latifi në Facebook.
Prej 79 personave që kanë rezultuar pozitiv, numri më i madh është nga Ferizaj, gjithsej 35 kurse 16 janë nga Prizreni.
Sot është marrë vendim që Prizreni të shpallet zonë karantinë.
Dje është shpallur zonë karantinë edhe Prishina, Suhareka dhe Ferizaj.
Nga nesër komunat në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë do të marrin vendime në lidhje me masat kufizuese në komunat respektive, pasi sot skadon afati i vendimit të qeverisë për kufizimin e qarkullimit të lëvizjes së qytetarëve, pasi i njëjti është shpallur jo-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.