Një paciente me simptoma të koronavirusit, kollë, ethe e temperaturë ishte dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare të qytetit në Malishevë, por nuk ishte pranuar, përcjell InLajmi.
Sfida tjetër për familjarët ishte transportimi i saj për në Klinikën Infektive në Prishtinë.
E gjithë bartja e saj, sipas mbesës A.H., ishte bërë nga familjarët, derisa edhe nga Klinika Infektive për në Pulmologji ata e kishin transportuar me veturë private, përkundër faktit se pacientja dyshohej se ishte e prekur nga COVID-19.
Por, drejtori i QKMF-së në Malishevë, Nuhi Morina, ka mohuar se kjo paciente nuk ishte trajtuar si duhet në këtë qendër.
Morina ka thënë se i vetmi konflikt i familjarëve ishte me shoferin e autoambulancës, i cili kishte refuzuar ta fuste pacienten në Klinikën Infektive, raporton Koha.

Por, mjekët e Klinikës Infektive kanë thënë se nuk kanë informacione për rastin.
Ndërsa, drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, përmes telefonit ka thënë se 68-vjeçarja është në observim në Klinikën e Pulmologjisë në pritje të rezultateve për Covid-19, dhe se gjendja e saj shëndetësore është stabile./InLajmi/