Kreu i qeverisë në detyrë, e shefi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se do të dërgojë emrin për mandatarin te presidenti i vendit, mirëpo, pa saktësuar afate.
U la të nënkuptohet se kjo do të ndodhë pasi që në vend të stabilizohet situata me koronavirusin, derisa nga LVV-ja janë thirrur në zbraztinë kushtetuese që nuk specifikon afat kohor se kur duhet që të dorëzohet emri.
Ndryshe deklarohen në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Deputeti i kësaj partie, Arban Abrashi, po thotë se Vetëvendosjes i kanë mbetur vetëm edhe një javë kohë që të bëjë nominimin e mandatarit, duke u thirrur kështu në një afat dy javor.
“Tani jem në afate edhe në skenar kushtetues, ata që e kam dëgju unë dhe ju dhe të gjithë qytetarët është se tani i kanë mbetur kryeministri në detyrë ose LVV të ofrojë kandidatin tjetër brenda 1 jave dhe ata duhet të sjellin emrin, nëse nuk e sjellin është kuvendi që vendos kusht tjetër duhet që të zgjidhet. Me thjeshtu për qytetarët Kosova ka demokraci përfaqësuese ne zgjedhim deputetët edhe janë pak a shumë 90 deputetë që nuk dëshirojnë kryeministrin aktual që ta shohin si kryeministër, mbetet në dorë të tyre se kë do ta votojnë”, ka thënë Abrashi në Klan Kosova, duke thënë se nuk duhet që të shkohet në zgjedhje.

“LDK i ka idetë e veta që të udhëheq me vendin edhe ka kandidatë shumë të mirë, ne mendojmë që vendi nuk duhet që të shkojë në zgjedhje”, ka shtuar ai.
Sipas Abrashit, Vetëvendosje ka pasur një qasje jo të sinqertë karshi partnerit me të cilin po e formonin Qeverinë.
“Ideja themelore e kësaj qeverisje s’ka qenë e mirë. Fokusi s’ka qenë te temat e mëdha por te LDK-ja. Është gabim edhe deklarata e Konjufcës që tha se LDK po fshihet pas Grenellit. Ka qenë një politikë e padrejtë dhe kjo është arsyeja pse Kurti qëndroi vetëm për 50 ditë si kryeministër. Kostoja për këtë po paguhet nga LDK dhe nga Kosova”.
“LDK nuk lejon një eksperiment, që dikush të vijë dhe të prishë marrëdhëniet. Ne e shpëtojmë edhe veten edhe Kosovën me daljen nga ky koalicion. Kryeministri në detyrë Kurti e ka shkarkuar pa asnjë faj Veliun. Kjo tregon që ka dashur të krijojë krizë në mënyrë që të ketë zgjedhje të reja në kohë të pandemisë”.