Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si institucioni bazë për përgatitjen e mjekëve të vendit tonë për dekada me radhë, po qëndron pranë institucioneve të tjera shëndetësore në luftën me pandeminë e koronavirusit, si dhe në shërbim të qytetarëve të vendit, përcjell InLajmi.
Përveç stafit akademik të UP-së, të cilët njëkohësisht janë edhe punëtorë shëndetësorë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, UP-ja ka angazhuar vullnetarë, të cilët janë duke dhënë kontributin e tyre në parandalimin e përhapjes së virusit korona në qendra të ndryshme shëndetësore të vendit tonë, në IKSHP, në Klinikën Infektive, në Ministrinë e Shëndetësisë, nëpër qendra të mjekësisë familjare dhe kudo që nevoja për punë është paraqitur.
Ftesës së Fakultetit të Mjekësisë dhe MSH-së për aktivizëm i janë përgjigjur:
– 280 vullnetarë (mjekë të rinj, mjekë specialistë, mbi 55 studentë vullnetarë të Fakultetit të Mjekësisë, infermierë, psikologë, punëtorë socialë etj.);
–41 vullnetarë – studentë absolventë të Fakultetit të Mjekësisë, aktivë në qendrat e mjekësivë familjare në vend;
–14 vullnetarë – aktualisht po ndihmojnë në Qendrën e Thirrjeve në Fakultetin e Mjekësisë dhe
–4 vullnetarë – studentë absolventë të Fakultetit të Mjekësisë në Qendrën e Studentëve;
– Shumë vullnetarë të tjerë, studentë të Fakultetit të Mjekësisë, me vendbanim nëpër komuna të Kosovës, janë në vazhdimësi duke shprehur dëshirë të ndihmojnë, e që janë duke u evidentuar të angazhohen sipas nevojës.
Qendra e Thirrjeve në Fakultetin e Mjekësisë
Qendra e Thirrjeve (UP- IKSHPK-MSH) aktualisht gjendet e pozicionuar në dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë dhe është në shërbim të qytetarëve, duke ofruar informacionet e duhura përmes telefonit. Në këtë qendër, e cila qëndron e hapur 24 orë në ditë, raportohet të pranohen 200 deri në 300 thirrje brenda ditës, të cilat pranohen nga personeli i IKSHPK-së apo ndonjë nga vullnetarët (mjekë apo studentë) e Fakultetit të Mjekësisë.
Numri kontaktues i qendrës është: 038 200 80 800.
Universiteti i Prishtinës vazhdon t’u përgjigjet me profesionalizëm të gjitha kërkesave të institucioneve shëndetësore për ta ndihmuar vendin në situatën e krijuar nga pandemia COVID-19./InLajmi/