Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia të cilët sipas tij pone injorojnë Komunën e Malishevës dhe nuk po e ndihmojnë e as nuk po e vizitojnë edhe pse ka më së shumti raste me koronavirus, përcjell InLajmi.
Lushtaku ka shkruar në faqen e tij në facebook se Malisheva që në luftë ishte vatër e UÇK-së, sot është shëmbull i qytetarisë punëtore dhe meriton përkrahje shumë më të madhe për ta kaluar këtë krizë.
Deklarata e plotë e deputetit Mërgim Lushtaku: Ngushëllime familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga virusi Covid-19! Me shqetësim jam duke i përcjellur zhvillimet lidhur me menaxhimin e situatës së krijuar pas përhapjes së virusit Covid-19 në Kosovë.
Qeveria e Kosovës nuk e ka trajtuar seriozisht Komunën e Malishevës si epiqendra e këtij virusi në Kosovë. Nga rreth 170 të infektuar me Covid-19 në Kosovë, 62 prej tyre janë nga Komuna e Malishevës. Përkundër kësaj, kryeministri Kurti e as ministri i Shëndetësisë Vitia, nuk kanë marrë mundin ta vizitojnë këtë komunë e cila nuk po përkrahet si duhet nga Qeveria e Kosovës për inate politike.
Madje, qytetarët e kësaj komune shpesh herë fyhen e ofendohen pa të drejtë nga militantët e partisë në pushtet. Këto stereotipe janë të papranueshme. Është e rëndë deklarata e kryetarit të Komunës së Malishevës e bërë ditë më parë, ku bëri me dije që më shumë ka ndihmuar Malishevën një barnatore private sesa Ministria e Shëndetësisë. Të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunat duhet të trajtohen barabartë, por aty ku burimi i infeksionit është më i madh duhet vëmendje institucionale më e theksuar, pasi komunat kanë kapacitete të kufizuara financiare për ta përballuar këtë pandemi.
Malisheva ka qenë vatër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot është shëmbull i qytetarisë punëtore dhe meriton përkrahje shumë më të madhe për ta kaluar këtë krizë. Qëndroni në shtëpi, mbani distancë e mbani pastërtinë. Këtë situatë do ta kalojmë së bashku./InLajmi/