Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka folur për të parën herë nga detyra e re duke thënë se Ballkani Perëndimor gjithmonë ka qenë në zemrën e tij, duke qenë se ka punuar një kohë të gjatë në rajon.
Në një reagim në profilin e tij zyrtar në twitter, Lajcak ka thënë se është i nderuar për besimin që i është dhënë për një punë shumë të rëndësishme.
Ai tutje ka thënë se pret të bashkëpunojë me përfaqësueit e Serbisë dhe Kosovës, të Bashkimit Evropian, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ballkani Perëndimor gjithmonë ka qenë afër zemrës time, duke qenë se kam punuar në rajon për një kohë të gjatë. Jam i nderuar që mu besua një punë kaq e rëndësishme. Pres që të punojë bashkë me përfaqësuesit e Serbisë, Kosovës, dhe të Bashkimit Evropian, dhe gjithashtu bashkëpunim të ngushtë me Shtetete e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Lajcak.
Kryediplomati sllovak, Miroslav Lajcak, sot zyrtarisht ka marrë detyrën e Përfaqësuesit Special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi.Lidhur me këtë zhvillim kanë reaguar nga Ambasada e Francës në Prishtinë, duke thënë se Lajcak mund të llogarisë në mbështetjen e Francës në ushtrimin e detyrës së tij si emisar për dialogun Prishtinë-Beograd.
“Miroslav Lajcak mund të llogarisë në mbështetjen e Francës për ushtrimin e funksionit të tij si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian si përgjegjës për lehtësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një reagim të ambasdaës francize në twitter.
Nga kjo ambasadë thonë se Lajcak do të përfaqësojë Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare në rolin e tij si ndëmrjetësues me synimin për arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse, finale dhe ligjërisht të obligueshme për të dy palët.