Rusia tha se ka dërguar në Shtetet e Bashkuara një aeroplan ushtarak me pajisje mjekësore, për t’i ndihmuar SHBA-të në luftën kundër koronavirusit, përcjell InLajmi.
Televizioni shtetëror rus Rossiya 24 shfaqi sot pamje të aeroplanit duke u nisur nga një bazë ushtarake pranë Moskës. Dërgesa duket të jetë rezultat i një bisede telefonike që presidenti amerikan, Donald Trump, ka zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin, më 30 mars. “Trump e ka pranuar me mirënjohje këtë ndihmë humanitare”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Uashingtoni nuk e ka konfirmuar fluturimin e aeroplanit rus, por Trump ka folur për marrjen e ndihmës nga Rusia gjatë një konference për gazetarë, më 30 mars. Shumë kritikë të Moskës kanë thënë se Rusia po e përdor ndihmën si pjesë të një fushate të dezinformimit dhe propagandës, për të mbjellë frikë dhe për të forcuar imazhin e Putinit./InLajmi/