Për këtë vit, 1 prilli (Dita e Gënjeshtrave) anulohet! Bota po jeton me panikun e shkaktuar nga pandemia, prandaj një tension më shumë nga gënjeshtrat e 1 prillit, nuk do të ndihmonte askënd.
Madje, duke marrë parasysh sjelljet e njerëzve në “Ditën e Gënjeshtrave”, vende duke nisur që nga Tajlanda e deri në Indi kanë marrë masa të rrepta! Ata kanë paralajmëruar njerëzit të mos bëjnë asnjë shaka (gënjeshtër) në lidhje me Covid-19 sepse në të kundërt mund të përfundojnë edhe në burg!
Përhapja e shpejtë e thashethemeve të pavërteta do të vinte në rrezik jetën e shumë njerëzve, prandaj sot askush të mos bëjë asnjë rreng.
Nga ana tjetër, Google, që është i njohur për logot e tij të përvitshme të 1 prillit, këtë vit e theu traditën për shkak të pandemisë së koronavirusit, që deri tani i ka marrë jetën rreth 40,000 njerëzve në mbarë botën.
Auto ritetet tajlandeze u shprehën qartë se ata që bëjnë shaka për 1 prillin rreth koronavirusit do të dënohen deri në 5 vite burg!
Edhe në Indi autoritetet thanë se do të ishte veprim i padrejtë dhe ilegal ndaj të gjithëve nëse përhapen lajme të rreme vetëm se është 1 prilli.
Ministria e Shëndetësisë në Gjermani paralajmëroi popullin në sloganin “Korona s’është shaka” që të mos trillojë asnjë histori që ka lidhje me virusin.
Njerëzit tani më shumë se kurrë i mbajnë sytë nga interneti për të marrë informacione në lidhje me virusin dhe shumë vende i tremben faktit se shakatë e sotshme mund të shkaktojnë keqkuptime të mëdha.
Të tjerë, shkruajnë në Twitter se Dita e Gënjeshtrave është anulluar sepse “askush nuk mund të trillojë diçka më të pabesueshme se kjo që po i ndodh botës aktualisht.”