Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot ambasadorët e Quintit dhe atë të Bashkimit Evropian në Prishtinë, për t’i informuar për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë Kurti nga Kuvendi i Kosovës në javën e kaluar, shkruan InLajmi.
Thaçi përmes një postimi në rrjetin social Facebook tregoi se ka informuar ambasadorët se gjatë kësaj jave do t’i fillojë konsultimet me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, sot kisha një takim me ambasadorët e shteteve të Kuintit dhe me atë të BE-së.
Ambasadorët i informova se gjatë kësaj jave do t’i fillojë konsultimet me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Si President i Republikës së Kosovës do të vendosë për opsionin më të mirë për të dalë nga kjo situatë. Kosova ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik e qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik.