Zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, i ka bërë thirrje publike kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe kryetarit të LDK-së që të mos e tërheqin ministren Hykmete Bajrami nga detyra.
Ai tha se pasojat do të ishin të mëdha nëse do të ndodhte një gjë e tillë në këtë kohë, shkruan InLajmi.
Jusufi tha se nuk dihet se çfarë mund të ndodhë orët dhe ditët në vijim, prandaj është lutur që të mos defunksionalizohet Ministria.
Postimi i plotë i tij:
Apel publik për Kryeministrin Kurti dhe Kryetarin e LDK-së Mustafa:
Duke mos e ditur se çfarë mund të ndodhë orët e ditët në vijim, ju lutem deri në përgjërim që derisa të gjendet zgjidhja e radhës për qeverinë (cilado qoftë ajo zgjidhje), së paku deri atëherë mos gaboni ta de-funksionalizoni Ministrinë e Arsimit, sepse pasojat janë të stër-mëdha!
Apel Kryetarit të LDK-së që assesi mos ta tërheqë ministren Bajrami! (me këtë nuk po paragjykoj që Kryetari i LDK-së e ka në plan tërheqjen e ministrave të LDK-së).
Apel Kryeministri Kurti që assesi mos ta shkarkojë ministren Bajrami! (me këtë nuk po paragjykoj që Kryeministri Kurti e ka në plan shkarkimin e ministrave të LDK-së).
Nëse kabineti në këtë minsitri defunksionalizohet ose çrregullohet, ta dini që të gjitha emergjencat me pasoja afat-gjata në këtë ministri do të mbeten të pa-adresuara e dëmet si pasojë e kësaj do të jenë të parikuperueshme, rrjedhimisht shumë të dëmshme dhe afat-gjata për arsimin në Kosovë. Gjithashtu, projekti i mësimit në distancë, ekstremisht i rëndësishëm për këto rrethana, mund të dështojë tërësisht.
Aman, së paku këtë nerv të vogël që e siguron mbijetesën e arsimit në këto rrethana të jashtëzakonshme mos e cenoni derisa të sigurohet zgjidhja tjetër!/InLajmi/