Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka lëshuar një reagim të ashpër për shkarkimin që kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ia bëri mbrëmë zëvendësit të tij në qeveri, Avdullah Hotit.
“Albini i natës”, është fjalia me të cilën ajo e ka përshkruar këtë veprim të Kurtit, shkruan InLajmi.
Sipas saj, ky veprim është një hakmarrje e Kurtit, në një periudhë kur tërë ditën flet kundër veprimeve të natës.
Postimi i plotë i saj:
Albini i natës!
Kryeministri i shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës me më shumë se 2/3 e votave, Albin Kurti, në terrin e natës e paska “liruar” nga detyra Zv/Kryeministrin Avdullah Hoti. Hakmarrje! E ulët edhe për një person të rëndomtë lëre më për një “kryeministër! Tërë ditën foli kundër veprimeve të natës e si për çudi vetë paska ra në kurthin e natës. Ky është Kryeministri i shkarkuar. Egoja dhe etja e tij për pushtet absolut është mbi shtetin, mbi popullin. Kosova nuk ia pat borxh as shkarkimet, as rrëzimin e qeverisë në kohë coronavirusi. Por ai nuk sheh as popull, as shtet. E sheh veç Albinin i cili kënaqet dhe mbijeton vetëm në kaos, në anarki, në trazira, për të treguar kush është ai. Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Albini dje përmendi edhe gjakderdhje, ashtu si mësuesit e tij Rexhep Qosja e Adem Demaçi, të etur për gjak shqiptarësh, për “revolucione demokratike”. Këtë e kanë në gjak, e kanë ideologji, lajtmotiv jetësor! Por janë të humbur, nuk do t’i lejojmë! “No pasaran Albin, No pasaran”!./InLajmi/
