Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në komunën e Vushtrrisë ka ndërmarrë një aksion humanitar për të iu dalë në ndihmë familjeve që kanë nevojë në këtë komunë për të i kaluar më lehtë këto ditët e vështira si pasojë e përballjes me koronavirus.
Në këtë iniciativë të BIK-ut në Vushtrri do të bëhet shpërndarja falas e 250 bukëve dhe 100 pakove ushqimore.
Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar Shemsi Rrahimi, kryetar i Bashkësisë Islame në Vushtrri.
“Ne kemi filluar një iniciativë për të ndihmuar familjet e varfëra në komunën e Vushtrrisë. Do të shpërdahen 250 bukë falas për familjen që nuk kanë asnjë të ardhur. Gjithashtu do të shpërndahen patate dhe 100 pako ushqimore.”
Rrahimi tha shpërndarja e bukëve falas është bërë për 15 vjet rresht.
“Shpërndarja e bukëve nga Bashkësia Islame e Kosovës po bëhet që 15 vjet rresht. Ne vazhdimisht ju kemi dbënë familjeve që kanë nevojë dhe nuk kanë asnjë të ardhur.”
Ai shtoi se solidarizimi po bëhet nga të gjithë që po marrin pjesë në iniciativë.
“Të gjithë po solidarizohen me mundësitë e tyre. Furrtarët na i kanë lënë më lirë bukët. Imamët po e bëjnë në mënyrë vullnetare shpërndarjen në qytet dhe fshatra të Vushtrrisë. Bile edhe qytetarët që janë nevojtarë po shikojnë të ndihmojnë ata që janë edhe më keq se ata “.
I pari i BIK-ut në Vushtrri theksoi se nga zeqati i dhënë pas korrjes së grurit, kanë krijuar rezerva të mjaftueshme të miellit, kështu që qytetarët në nevojë nuk kanë nevojë të brengosen.
Ai ndër të tjera tha se numër më i madh i atyre që kanë nevojë është në fshatra sesa në qytet.