Gjermania dhe Franca janë të shqetësuara për situatën politike në Kosovë, në kohën kur nevojitet unitet politik në këtë situate pandemie.
Në një deklaratë të përbashkët të ministrive të jashtme të këtyre dy vendeve, thuhet se “Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe plotësisht funksionale për t’u përballur me këtë krizë. Prandaj, u bëjmë thirrje që vota e votëbesimit ndaj Qeverisë të rishqyrtohet ose të shtyhet”, përcjell InLajmi.
“Ua rikujtojmë mbështetjen tonë për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, d.m.th në luftimin e korrupsionit dhe nxitjen e zhvillimit socio-ekonomik. Jemi të gatshëm të rrisim mbështetjen tonë për Kosovën në këto fusha”, thuhet në deklaratë.
Sa i përket marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, diplomacitë e këtyre dy vendeve thonë se, “presim që të dyja palët të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të hequr pengesat për rifillimin e dialogut”.
“Mirëpresim qëllimin e kryeministrit Kurti për të rifilluar dialogun me Serbinë duke përfshirë të gjithë akterët, në mënyrë që Kosova të flasë me një zë. Vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës më 20 mars për heqjen e tarifës 100 për qind për lëndën e parë është hapi i parë i rëndësishëm në drejtim të duhur. Presim që tarifat të pezullohen plotësisht nga 1 prilli si dhe presim që Serbia ta kryej pjesën e saj të përpjekjeve”.

“Sapo të plotësohen kushtet për rifillimin e dialogut dhe të tejkalohet kriza e COVID-19, presidenti Macron dhe kancelarja Merkel planifikojnë të organizojnë një Samit në Paris, ku do të marrin pjesë liderët e të dyjave palëve si dhe Përfaqësuesi i Lartë Borrell”.
“Mosmarrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është çështje e sigurisë evropiane, prandaj Bashkimi Evropian do të vazhdojë përpjekjet e lehtësimit menjëherë pasi që të dyja palët të dakordohen për rifillimin e bisedimeve. Koordinimi me partnerët tanë, në veçanti nga Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë.
Qëllimi i dialogut duhet të mbetet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare ligjërisht të detyrueshme, thuhet në deklaratën e diplomacies Franceze dhe Gjermane./InLajmi/