Këngëtari Muhamet Sejdiu ka rrëfyer për betejën e tij me koronavirusin. Ka thënë se pas një periudhe me terapi tani po ndihet vazhdimisht e më mirë.
Sejdiu dhe bashkëshortja e tij u regjistruan si të infektuar ditë më parë, pas një vizite që kishin në Gjermani.
Ai ka thënë se simptomat e para ishin sikur të një gripi normal. Sipas tij, fillimi ishte më i vështirë, por tash pas qëndrimit disaditor në Klinikën Infektive në Prishtinë, është lehtësuar dhe është shumë më mirë.
“Simptomat e para janë sikur grip, pak temperaturë, lodhje, terje të fytit. S’më ka shkuar mendja sepse jemi mësuar të kemi grip, të marrim medikamente. Por kur pash veten, pas 6-7 dite, që tamam jam lodhur dhe kontaktova mjekët. Bëra testin dhe doli pozitiv. Në fillim kam qenë shumë keq, deri sa më është caktuar terapia. Tani jam secilën ditë më mirë e më mirë. Jam mirë, kam marrë terapinë. Bashkëshortja është në top-formë”, ka thënë ai në një lidhje direkte me “1 Kafe me Labin”
Sejdiu ka shprehur gëzimin që të gjithë personat me të cilët ka pasur kontakte kanë rezultuar negativë në testet ndaj koronavirusit.
Në mesazhin e tij për të tjerët, Sejdiu ka lutur të rrinë nëpër shtëpi e të kujdesen për veten dhe të tjerët.