Përhapja masive e koronavirusit në Evropë, e ka stopuar pak edhe punën e Speciales, teksa që nga përhapja e pandemisë nuk ka pasur më ftesa për ish-ushtarët e UÇK-së.
Në kohën e vlugut të punës së këtij insticioni të drejtësisë, rreziku nga COVID-19 ia ka pezulluar punën kësaj gjykate, shkruan InLajmi.
Megjithatë, nga Prokuroria e Specializuar në Hagë po thonë se i kanë marrë të gjitha masat mbrojtëse, në atë formë që funksionimi të vazhdojë me efikasitet.
Christopher Bennet, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Prokurorisë, për lajmi.net ka thënë se kanë vendosur të gjitha planet e emergjencës pas përhapjes së koronavirusit.
“Prokuroria e Specializuar vendosi planet e emergjencës menjëherë pas shfaqjes së koronavirusit për të siguruar se do vazhdojë të funksionojë sa më efikas që të jetë e mundur. Më pas, ajo ka prezantuar masa në përgjigje të Covid-19 në përputhje me rekomandimet dhe vendimet e autoriteteve përgjegjëse të shëndetit publik, duke përfshirë punën në distancë për stafin kur është e mundur”, ka thënë Bennet për lajmi.net.
Në këto rrethana, Bennet ka mohuar se Specialja e ka stopuar punën.
“Prandaj Prokuroria e Specializuar mbetet në funksion dhe po vazhdon të zbatojë mandatin e saj”, ka thënë tutje Bennet.
Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në fillim të këtij viti kanë hyrë në fazën më të ndjeshme të punës së tyre.
Aktualisht janë dy aktakuza për ish-ushtarët e UÇK-së, e për të cilat është caktuar një gjyqtar i procedurës paraprake. Ky i fundit ka gjashtë muaj kohë që ta konfirmojë ose ta hedh poshtë aktakuzën e ngritur nga prokuroria.
Ftesa për intervistim në Kosovë kanë marrë edhe figura të njohura të skenës politike, përfshirë Ramush Haradinajn, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rrustem Mustafën, Sami Lushtakun, Rexhep Selimin, Ramiz Lladrovcin dhe personalitete të tjera.
Ndërkaq, zhvillimet e fundit sa i përket Speciales kanë të bëjnë me dorëheqjen e zëvendëskryetarit, njëherit edhe gjykatës i lartë i Dhomave të Specializuara, Keith Raynor.
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate në uebfaqen zyrtare të Gjykatës Speciale ku thuhet se Raynor do të vazhdojë punën e tij në Britaninë e Madhe./InLajmi/