Tetë mjekë dhe infermierë të spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë janë të prekur nga koronavirusi.
Silva Bino nga ISHP thotë se në këtë spital janë kryer 89 teste për personelin mjekësor, nga të cilët pozitiv kanë rezultuar 8.
Silva Bino: Pas hetimit të hollësishëm epidemiologjik në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 2 raste personel shëndetësor që kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar.
Për të lehtësuar fluksin në spitalin Infektiv, Bino bëri të ditur se spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID.
Po ashtu Ministria e Shëndetësisë po merr masa për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar stafet mjekësore në terren.
Apel për mjekët-Dua të bëj një apel për mjekët të zbatojnë me kujdes masat mbrojtëse për parandalimin e infeksionit.
Apeli për qytetarët-Ju lutemi mos shkoni menjëherë në spital! Telefononi 127 kur keni shenja të sëmundjes! Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.