Rritja ekonomike e paraparë të jetë 4.2 % nga Ministria e Financave, sipas njohësve të ekonomisë, nuk mund të ndodhë. Kjo si pasojë e situatës së krijuar nga virusi COVID-19, i cili pothuajse ka paralizuar operimin e bizneseve jo vetëm në Kosovë.
Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës,Safet Gerxhaliu, tha për Radio Kosovën se prioritet në situatën aktuale, duhet të jetë jeta e njeriut, por edhe ekonomia e vendit, që sipas tij do të ketë pasoja shumë të mëdha. Gerxhaliu tha se ky vit do të jetë vit i dështuar ekonomikisht.
“Ajo çka është shqetësuese është fakti që viti 2020 që nga fillimi ka qenë shumë i vështirë por do te jete i dështuar ekonomikisht. Rritja ekonomike prej 4.2% do të jetë e pamundur të arrihet. Duhet të mbështetet sektori privat për krijimin e vendeve të reja te punës, sepse pa një sektor privat të fuqishëm është i pamundur zhvillimi ekonomik, stabiliteti social dhe përshpejtimi i proceseve integruese, prandaj duhet dialog, partneritet dhe të shikohet jeta edhe pas krizës”, ka thënë Gerxhaliu, për RTK live.
Ndërkaq kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, i tha Radio Kosovës po ashtu se vendi do të ketë pasoja të mëdha ekonomike pasi që bizneset tashmë kanë frikë të operojnë në këtë situatë. Ai tha se vendimet e qeverisë për lehtësira tatimore dhe kreditore për shtyrje të pagesave assesi nuk sjellin lehtësi për ekonomi, biznes dhe qytetarin.
“Ato detyrime një ditë duhet të shlyhen. Qeveria në të ardhmen të marrë vendim që të shlyejë të gjitha obligimet e qytetarëve të vet. Sot disa shërbime nga bizneset nuk funksionojnë, restorantet, qendrat tregtare e shume biznese të ndryshme. Ato kanë obligime te ndryshme edhe ndaj punëtorëve dhe ndaj qiradhënëseve dhe kjo është një problem tjetër, është vështirësuar rrugëtimi për furnizim të produkteve”, ka thënë Shahini.
Shahini tha se nëse kjo gjendje e krijuar në vend vazhdon për një kohë të pakufizuar, do të ketë probleme me furnizim për shkak se nuk ka rezerva të mjaftueshme shtetërore. Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të rrisë fondet për mbështetje, në mënyrë që të ketë furnizim të rregullt.