Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), janë të spitalizuar nëntë pacientë me koronavirus.
Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha, ka bërë të ditur për lajmi.net, se në këtë klinikë janë të spitalizuar nëntë pacientë të prekur me koronavirus.
Sipas saj, gjendja e tyre deri në këtë moment është stabile.
“Gjendja e pacientëve deri në këtë moment është stabile. Janë duke u përcjellë prej ekipeve mjekësore. Për momentin nuk ka ndonjë problem ose ndonjë shqetësim. Varësisht nga gjendja e tyre klinike edhe e shohim se si do të veprojmë mëtutje, por deri në këtë moment gjendja e pacientëve është stabile”, ka treguar Ajazaj-Berisha.
Tutje, Ajazaj-Berisha ka bërë të ditur se ne Klinikën Infektive janë të spitalizuar vetëm nëntë pacientë të prekur me koronavirus, kurse katër të tjerë janë nën mbikëqyrje të nga institucionet gjegjëse në vendin ku jetojnë.