Zëvendëskryeministri Avdulla Hoti ka njoftuar se Qeveria në koordinim me bizneset do të marrë masa shtesë për lehtësimin e jetës së qytetarëve në këtë fazë emergjente, kur vendi dhe bota po përballet me pandeminë e Coronavirusit. Deri më 30 prill sipas tij do të shtyhet pagesa e kredive, rrymës, internetit, ujit, ngrohjes , lehtësimi i transportit të mallrave.
Ai po ashtu ka thënë se është shtyrë edhe raportimi financiar i bizneseve. Po ashtu Hoti ka premtuar edhe pagesa shtesë për stafin shëndetësor.
Ai ka thënë se janë takuar me odat kryesore ekonomike, dhe takimi është vazhdimësi e asaj që ishte dje, ku kemi folur për masat që duhet t’i ndërmarrë qeveria me rastin e koronavirusit.
“U dakorduam për një listë të masave, si më poshtë: Për të lehtësuar transportin e mallrve që vijnë në Kosovë, Minisria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Administratës do të nxjerrë udhëzues të qartë për mënyrën se si lejohen maunat të hyjnë në Kosovë që kanë shofer shtetas të vendeve të tjera.”, tha ai.
Sipas tij. Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë në konsultim me bizneset i inventarizojnë të gjitha rezervat shtetërore të produkteve të rëndësisë strategjike dhe përgatisin një plan të këtyre rezervave shtetërore për tre muajt e ardhshëm.
“Këtë plan ia propozojnë qeverisë për miratim ku në mes tjerash specifikohen masat që duhen të ndërmerren dhe buxheti përkatës përfshirë këtu edhe sasinë që mund të blihen nga ana e qytetarëve.”, shtoi Hoti.
Hoti tha se ministria e Financave, Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë në konsultim me bizneset sjellin një plan për miratim për mbështetje të bizneseve.
“Shtyhet afati për deklarimin e obligimeve tatimore dhe raportimeve financiare të bizneseve dhe organizatave të tjera sipas legjislacionit në fuqi deri më 30 prill 2020. BQK në konsultim me bankat udhëzohen të përgatisin një plan operativ për funksionim të rregullt të sistemit financiar për të përballuar situatën në të cilën gjendemi. Duke e përfshirë prolongimin e obligimeve kreditore të klientëve të tyre deri më 30 prill dhe të shqyrtojnë riprogramimin e tyre.”, theksoi Hoti.
Ai ka treguar se Ministria e Ekonomisë bashkë me ndërmarrjet e tyre që ofrojnë shërbimet publike si ngrohje, shërbimet me ujë dhe mbledhjen e mbeturinave të ngritin komitetin për menaxhimin e shërbimeve publike dhe të përgatisin planin e veprimit sipas situatës së krijuar.
“ME do të mbikqyrë punën e KEK-ut, KED-sit, dhe KOSTT-it për të siguruar furnizim stabil me energji elektrike. Ndërmarrjet e shërbimeve të internetit dhe telefonisë mobile të sigurojnë funksionim të rregullt me qëllim të informimit të plotë të qytetarëve, duke siguruar që shërbimet nuk ndalen deri më 30 prill 2020 edhe për shkak të mospagesës. Shtyhen deri më 30 prill 2020 pagesa e të gjithë obligimeve publike, si ujë, rrymë, ngrohje etj.”, tha Hoti.
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike e ka falënderuar Qeverinë për reagim të shpejtë, lidhur me masat dhe ka bërë thirrje që bizneset dhe komunat të respektojnë vendimet.
Rukiqi ka thënë se duhet theksuar që kjo është vetëm faza e parë e masave, deri në një periudhë të caktuar, për ta caktuar periudhën emergjente, pas së cilës gjë do të bëhet shqyrtohen pasojat.
“Është me rëndësi që bizneset dhe komunat ta respektojnë vendimet e Qeverisë”. Vendimi duhet të respektuar edhe në atë pjesë që nuk ndalohen veprimtaritë e caktuara, por vetëm kafenetë, baret, restorantet dhe qendrat tregtare. Por nuk ndalohen veprimtaritë tjera”, ka thënë ai.
Rukiqi ka thënë se dje dhe sot janë mbyllur biznese që nuk ndalohen me vendim të Qeverisë.
“Ne nuk e kemi komoditetin t’i ndalim të gjitha, pasi që ndalet zinxhiri i furnizimit”, ka thënë Rukiqi.
Ai po ashtu ka bërë apel për bizneset që t’i ndërmarrin masat për mbrojtjen e punëtorëve.
“Kjo është vetëm faza e parë e masave. Kam bërë thirrje që bizneset dhe komuna ta respektojnë vendimin e qeverisë. Nuk kemi komoditetin t’i ndalim të gjitha. Energjia elektrike është fundamentale për ne si shoqëri. T’i marrim masat brenda ambienteve të punës që të mbrohen puntorët dhe ta tejkalojmë këtë sfidë globale.”, tha Rukiqi.
Ndërsa, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve ka thënë se qytetarëve duhet tu ofrohet furnizim më i lehtë për konsum të përgjithshëm. Ai u ka bërë thirrje bizneseve të mos e keqpërdorin situatën dhe punëtorët të lajmërohen në punë aty ku është e nevojshme dhe të mos krijohet panik sepse gjendja nuk është aq alarmante.
“Duhet të mendojmë që kjo krizë do të tejkalohet.Ne i kemi propozuar qeverisë edhe masa tjera për furnizim më të lehtë dhe që qytetarët të mos kenë panik.”, tha Shahini.
Arian Zeka i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se i kanë shprehur shqetësimet e bizneseve për vendimin e qeverisë. Ai ka falënderuar qeverinë që po i merr parasysh rekomandimet e asociacioneve të biznesnit.
“Situata është e pazakontë. Jemi pranë marrjes së një vendimi që lehtëson punën e bizneseve. Sot kemi shprehur shqetësimet e bizneseve për sa i përket interpretimit të vendimit të së premtes e cila nuk qartësonte ndalesën e punës në mënyrë ekslpicite . Jo të gjitha punët mund të kryhen nga shtëpia, janë sektorë të caktuar siç është ndërtimtari, sektori me shumicë dhe pakicë, prodhimtaria që duhet të vazhdojnë punën.Prandaj qartësimi i vendimit të qeverisë në këtë pikë është diçka që ne e mirëpresim ”, shtoi Zeka.
Muhamet Selmani, nga Shoqata e Mullisëve ka bërë thirrje që të mos ketë panik sepse furnizimi me miell është i mjaftueshëm.
““Dua të ju bëjë thirrje qytetarëve që ta ulin panikun për furnizim me miell. Prodhuesit e mielli që janë 30 janë shumë aktiv duke prodhuar miell. Nuk është problemi se nuk ka sasi të grurit por problemi qëndron të koha për ta bluar dhe shndërruar në miell për arsye se nuk kanë kapacitete sepse fluksi është shumë i madh. Mos bëni panik, mos krijoni radhë të gjata për të marrë miell sepse përmes tyre po krijohet një panik se nuk ka miell.”, tha ai, Do të ketë lehtësira me furnizim me grurë. Sasi të miellit ka mjaftueshëm për këto ditë. Po ashtu dua të ju sigurojë se fabrikat kanë fuqinë punëtore në nivelin e duhur.”, tha ai.