Shumë instutucione publike e private kanë marrë masa për parandalimin e infektimit nga koronavirus. Një vendim të tillë ka marrë sot edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, por ky vendim vlen edhe pë degët e gjykatës në qytet të tjera, shkruan InLajmi.
Gjykimet shtyhen deri në datën që shkruhet në vendimin e qeverisë, pra deri më 27 mars, por ndër të tjera në këtë postim thuhet se ky kufizim i shërbimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë mund të ndryshojë varësisht prej rrethanave.
Postimi i plotë:
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë mban takim me gjyqtarë përgjegjës të departamenteve dhe degëve të saj lidhur me masat e ndërmarra në parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19
Prishtinë, 13 mars 2020 – Informojmë opinionin publik se pas takimit të mbajtur sot nga Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi me gjyqtarët përgjegjës të departamenteve, divizioneve dhe degëve të kësaj gjykate, në zbatim të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Parandalimin e Infeksionit Corona Virus COVID-19 të datës 11.03.2020, nr.01/07 dhe Vendimit të KGJK-së të datës 12 mars 2020, nr. 52/2020, Gjykata Themelore në Prishtinë me degët e saj në Podujevë, Lipjan, Graçanicë dhe Drenas do të kufizojë aktivitetet e saj përkohësisht deri më datën 27 mars 2020.
- Seancat e caktuara do të mbahen sipas orarit të paraparë, nga gjyqtari i çështjes do të vlerësohet prezenca e publikut, mediave dhe monitoruesve në seancë (preferohet përjashtimi aty ku nuk shihet e domosdoshme).
- Puna me palë në shkrimoret e gjykatës do të vazhdojë në atë mënyrë ku palët do të lejohen të hyjnë në gjykatë një nga një, referentët e gjykatës gjatë dhënies së shërbimit duhet të kenë kontakt me vetëm nga një palë me qëllim që të shmanget prezenca e palëve në masë të madhe.
- Në rastet kur nga stafi i gjykatës njëri prind duhet të kujdeset për fëmijë, atëherë do të aprovohet pushimi nga eprori në bazë të kërkesës së parashtruar të cilës kërkesë duhet bashkëngjitur provat.
- Ky kufizim i shërbimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë mund të ndryshojë varësisht prej rrethanave. /InLajmi/