Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ndërprerë të gjitha vizitat familjare për të burgosurit për shkak të koronavirusit.
Ky vendim u mor sot nga Qeveria e Kosovës dhe do të vlejë deri më 27 mars.
Vizitat familjare janë të ndaluara nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, por si mundësi alternative Shërbimi Korrektues thotë se të burgosurve do t’iu mundësohet komunikim virtual me familjarët e tyre.
Po ashtu, janë marrë edhe disa masa të tjera me qëllim të parandalimit të koronavirusit nëpër burgje.
Gjatë kësaj periudhe kohore SHKK do të ndërmarr këto masa:
Të burgosurve do t`iu mundësohen telefonata me të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes Skype, i cili tashmë është i instaluar nëpër disa qendra korrektuese dhe shumë shpejt nëpër të gjitha qendrat;
Ndalohen transferet nëpër burgje për të burgosurit;
Reduktim të transportit në gjykata dhe prokurori, (vetëm në raste shumë emergjente);
Kontroll të vazhdueshme të stafit nga Mjeket të cilët veç janë në qendra korrektuese dhe ato të paraburgimit;
Kontrolla të vazhdueshme të të burgosurve, të cilët kanë ndonjë simptomë infektive.
Furnizim brenda burgjeve për të burgosurit me material higjenik, siç janë: shampon, sapun dhe dezinfektues për duar dhe furnizim me ujë të nxehtë 24 orë brenda burgjeve, transmeton Klan Kosova.
Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin e gjerë rreth hapave në vazhdim.