Partnerët qeverisës assesi nuk po munden të merren vesh për politikat qeverisëse. Madje, komunikimi i tyre po bëhet jashtë objektit të qeverisë, duke i dërguar njëri tjetrit porosi përmes Facebook-ut, studiove televizive e nga Amerika.
Mos harmonizimi i qëndrimeve për tema të rëndësishme, siç është taksa ndaj Serbisë, ka përplasur partnerët qeverisës.
Heqja e pjesshme të taksës ka paralajmëruar kryeministrin Albin Kurti, por partneri i saj LDK- po kërkon heqjen e tërësishme të saj, pa kushte, ashtu siç po kërkon edhe administrata amerikane, në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut me Serbinë.
Gjatë negociatave për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, zyrtarët e dy partive i dërgonin mesazhe njëri tjetrit përmes statuseve në rrjetin social Facebook e studiove televizive.
Njëjtë po vazhdon edhe tani, kur të dyja subjektet politike janë duke udhëhequr me vendin.
Mosmarrëveshjet e brendshme por i diskutojnë në distancë, nga rrjeti social Facebook, Tëitter, studio televizive e nga Amerika
Përmes rrjetit social Facebook, numri dy i qeverisë nga LDK-ja, Avdullah Hoti, paralajmëroi kryeministrin Albin Kurti, se qeveria mund të prishet nëse vihet në pikëpyetje miqësia me Amerikën.
“Qeveria duhet te mblidhet për të hequr taksën. Nuk mund te mbesim peng te një vendimi qe ka qenë i domosdoshëm, por tash po e dëmton Kosovën. Miqësia e përhershme me SHBA nuk cenohet. Ne e garantojmë këtë miqësi. Nuk është interes i qytetareve te Kosovës te prishet kjo miqësi, qe solli paqen ne Ballkan dhe lirinë e pavarësinë për shqiptaret. Nëse dëmtohet miqësia me ShBA, atëherë dëmtohet shtetësia e Kosovës, te cilën gjë nuk lejojmë të ndodhë. Prandaj, me përpara prishet Qeveria, se miqësia me SHBA”, theksoi Hoti në mesazhin e tij dërguar partnerit të koalicionit, VV-së.
Akuza ndaj kryeministrit Kurti e mesazhe për prishje të koalicionit i dërgoi edhe deputeti i LDK-së Driton Selmanaj.
Ne një debat në Televizionin 7, Selmanaj i reagoi kryeministrit Kurti rreth deklaratave të këtij të fundit për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, duke thënë se me VV-në kanë diversitet të thellë kur flitet për raportet me ShBA-në.
“Uroj që të mos jetë reagim i qëllimshëm kjo që po thotë Kurti. Shpresoj të jetë analizë e hershme dhe e dobët e ngjarjeve. Për raportet me SHBA-në kemi diversitet të thellë me VV-në”, ka thënë Selmanaj.
Mesazhe të ashpra Kurtit i dërgoi edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Skënderi Hyseni, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht Shtëpia e Bardh. Nga atje, Hyseni pas një takimi me të dërguarin Special të presidentit Trump për dialogun me Serbinë, Richard Grenell, ia bëri me dije kryeministrit Kurti se duhet ta heq taksën pa kushte ashtu siç kërkon SHBA.
“I përkushtuar fuqishëm për të çuar Kosovën dhe rajonin përpara drejt një zhvillimi dinamik ekonomik, Shtëpia e Bardhë dhe Ambasadori Grenell kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia, që t’i hapet rrugë dialogut Kosovë-Serbi i cili duhet dhe do të përmbyllet me njohje të ndërsjellë”, ka thënë Hyseni nga ShBA-ja.
Mesazhe të ashpra i dha edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ia bëri me dije partnerit të koalicionit që presidenti Trump është shumë afër reagimit, prandaj nuk duhet lejuar një gjë të tillë.
“Është e pa imagjinuar vetëm me leju me ndodh që Presidenti Trump me bo Tëeet-in e fundit që mundet me ndodh në çdo kohë që dmth: nga sot gjithçka në Kosovë është e ngrirë për shkak të sjelljes jo korrekte të politikanëve. Fundja, marrëdhëniet e politikanëve të Kosovës me SHBA-në kanë me u dëmtuar seriozisht’, tha Haziri në rtv21.
Ndaj krejt këtyre mesazheve që mori Kurti nga partneri i koalicionit, pati vetëm një deklarim, se nuk beson që trupat amerikane largohen nga Kosova.
“Unë nuk mendoj se KFOR-i amerikan duhet të tërhiqet nga Kosova. Përkundrazi, dhe besoj se nuk do të tërhiqet nga Kosova. Kemi parë një si dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet edhe vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri”, ka deklaruar kryeministri Kurti pas një tubimi zgjedhor në Podujevë, raporton Insajderi.
Pas këtyre përplasjeve mbetet të shihet nëse LDK-ja do të mbetet në qeveri apo do ta braktisë atë.