Shkruan: Skënder Berisha
Ishte ditë korriku. Vapë. Një ditë më herët dhe natën paraprake, kishin pëlcitur bombat e para në oborret e stacioneve të policisë nëpër Dukagjin, duke shkaktuar panik të fuqishëm në caqet serbe. Atë ditë, shtëpia ime kishte qenë cak i bastisjes dhe ushtrimit të terrorit. Ngase nuk isha në shtëpi, fillimisht tortura ishte zhvilluar kundër vëllait tim, dhjetë vjet më të ri. Me të marrë lajmin se po e rrahin shumë vëllain tim, nga frika për të dhe madje mund të ma marrin peng deri sa të dorëzohem, bëri që të shkoj me vrap në shtëpi, të mos pësonim të dytë, por vetëm njëri, unë, përcjell InLajmi.
Me të arritur në shtëpinë e rrethuar nga dhjetëra policë siç ishin të shpërndarë, më pyetën, ti je Skënderi, po thash, i mbushur frymë, unë jam. Menjëherë filluan goditjet. Shumë herë më rrëzuan goditjet e qytave të kallashëve dhe shqelmat që mi jepnin në gju e poshtë. Sa më shpejt më rrëzonin në tokë, aq më shpejt ngrihesha, për të më goditur sërish pa mëshirë, për të më rrëzuar sërish. Kjo vijoi gjatë, shumë herë.
Por, megjithatë, shpëtimi arriti.
Goditjet u rralluan dhe pastaj edhe ndaluan kur filluan britmat e grave. Të parin zë që shquaja, ishte zëri i ngjethur i bashkëshortes time, e cila kishte Albanën gati tetëmuajshe në duar, pastaj britmat tërë mllef të Nënës Razë dhe kojshikës tonë malaziase, të cilat njëherësh mallkonin e luteshin të ndalonin rrahjen e të na lironin. Nëna Razë ju thoshte “boll ju vraftë zoti, na i mbytët djemtë” ndërsa fqinja jonë, ju thoshte madje edhe kafshë, mos i prekni djemtë.
Rrahja përfundoi, i kthyen pincgauerat dhe makinat tjera prapa, rrethimi u tërhoq. Dhjetëra policë serbë, ikën.
Nga ajo ditë, si me dorë, ma hoqi si me dorë, terrori i policëve serbë, të menduarit për të qenë i dhunshëm me gruan. Po, nga ajo ditë, kam parë shenjtërinë e gruas e bashkudhëtares time, të Nënës Razë, fqinjës tonë, ashtu siç më herët kam parë shenjtërinë e nënës dhe motrës time. Kurrë më as dhunë, as mendim për të qenë i dhunshëm, edhe të menduarit ma hoqi si me dorë, terrori i policëve serbë.
Dhuna e shfrenuar kundër meje e vëllait, më bëri të mendoj gjithmonë në jetë se trimëria ka fusha tjera ku mund të shprehej, jo në asnjë rast me gruan, të mirat tona që ecin krah nesh tërë jetën. Pas asaj dite, mendoja se ka mjaft fusha ku mund të shprehet agresiviteti apo dhuna, por kurrë kundër gruas. Kurrë dhunë kundër atyre që na mëkojnë plagët dhe japin dorën, kur më së shumti kemi nevojë. Nëna, gra, motra, bija, gëzuar çdo ditë të vitit, në atdheun tonë të lirë!/InLajmi/