Kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkë me kabinetin qeveritar dhe kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani kanë bërë sot homazhe tek varrezat e familjes Jashari në Prekaz të Skënderajt.
Para mediave, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se sakrifica e Jasharëve duhet të kujtohet në çdo moment, ngase sipas saj është kjo familje e cila ka vënë themelet e shtetit të Kosovës.
“Ne jemi sot këtu sërish për të nderuar sakrificën e komandatit legjendar Adem Jasharit, dhe atyre që kanë rënë qe ne sot ta gëzojmë lirinë,. Më e rëndësishmja është që në cdo ditë e moment ta përkujtojmë këtë sakrificë që kanë vënë themelet e shtetit tonë dhe që kanë ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës”, tha Osmani.
Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se është familja Jashari ajo që e ka vulosur Prekazin si kryeqytet historik të kryengritjes shqiptare.
“Pas seancës së djeshme të Kuvendit, sot erdhëm këtu në Prekaz për të nderuar 22 vjetorin e epopesë së UÇK-së dhe për të bërë homazhe tek familja që e ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare. Pas këtyre homazheve do të vizitojmë edhe familjen Jashari”, ka thënë kryeministri.