Shkruan: SKËNDER BERISHA
Antiamerikanizmi, është kundërshtim ndaj sjelljeve të shtetit dhe shtetasve amerikanë, nëpër botë, dukuri e shpeshtë në shtetet që pretendojnë ndikime tjera nga vlerat, shtetit dhe qytetarëve amerikanë.
Po cilat janë vlerat amerikane?
Duke u nisur nga individi, po i renditim disa. Pavarësia është vlerë e individit dhe familjes amerikane, e nxitur dhe përkrahur nga familja, për të qenë i pavarur për vlerat që ofron Amerika, për pavarësinë e individit. Të tjerat, mund të jenë si: privatësia, drejtpërdrejtshmëria, barazia, joformaliteti, konkurrenca, koha, efikasiteti, etika e punës, konsumimi, përshtatja, etj.
Por, në politikën amerikane, cilat janë vlerat që ajo sot promovon?
Disa nga vlerat e politikës së jashtme amerikane janë: Të drejtat e njeriut, liria dhe barazia, bashkëpunimi dhe paqja, diplomacia dhe zhvillimi, angazhimi dhe aleancat, fuqizimi i pavarësisë dhe demokracisë, etj.
Nga këto vlera, të brendshme dhe të jashtme të Amerikës, shtetasit në shtetet e krijuara nga ndikimi i drejtpërdrejtë të këtyre vlerave amerikane, mund të sillen në vetëmashtrim dhe dilemë, kur promovojnë ide në kundërshtim me to.
E para, është ndikimi i shteteve të dëshmuara kundër vlerave amerikane, pastaj, ndikimi i ideologjive të kundërta me vlerat amerikane, personat e devijuar me mjete të tjera nga ideologjitë antiamerikane, personat e mbështetur dhe të fuqizuar nga shtetet me qasje antiamerikane për të luftuar antiamerikanizmin, si dhe informimi, përhapja dhe zhvillimi i gabuar i këtyre ideologjive, dhe ndikimet tjera.
Në shtetin demokratik, si pasojë e ndikimit të fuqishëm amerikan, i krijuar mbi premisat dhe vlerat e pranueshme dhe të përbashkëta, në momentin e rrezikimit të këtyre vlerave, cilat mjete i ka në dispozicion si legjitime, për t’u mbrojtur nga antiamerikanizmi, përkundër ndonjë qasje tjetër nga gjendja në terren, në tri dekadat e fundit?
E para, e panegociueshme është legjislacioni, respektimi i ligjit, zbatimi i ligjit dhe promovimi i ligjit.
Gjithsesi, do pasur parasysh se parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimi i ideologjive të huaja, është një nga prioritetet e shtetit të Kosovës si dhe terrorizmit global, por prek një sferë, të shkëputur nga çështja.
Ulja e pikës së vlimit të këtij antiamerikanizmi, në muajt e fundit, nuk duhet menduar se ka lidhje me këto ideologji të përcaktuara dhe të ndëshkueshme me ligjet tona, por, domosdo shtrohet pyetja se cilat janë mjetet për ndalimin e këtij antiamerikanizmi, në një vend të lirë e demokratik.
Mbetet të shihet i tërë kapaciteti ligjor kur kundërshtohet dhe luftohet një ideologji e dëmshme për vendin dhe të ardhmen e tij, do parë mjetet e parapara me ligj, por edhe shprehjen e lirë e të argumentuar, si një mekanizëm i vlerës të cilën e synon një shtet.
Një gjë është e qartë, promovuesit e këtij antiamerikanizmi flasin shqip, për fat të keq, qofsha i gabuar, zbatojnë qëllime të fjetura por afatgjata të fqinjëve, të paketuar me ambalazh shkëlqyes verior, me synim zbehjen e pro amerikanizmit në jetën dhe shtetin tonë.
E gjithë kjo dukuri sa e pamirë aq edhe tronditëse për njohësit e rrethanave ballkanike, është shfaqur “rastësisht” si politikë dhe vizion i aty për atyshëm ditor, por mund të jetë me pasoja të mëdha në raportet me vlerat që promovon amerikanizmi. Në proceset dhe synimet e një shteti, siç është yni, i vogël, mes aligatorëve, të cilët ushqehen me mishin, djersën dhe gjakun e kombit tonë, me shekuj, antiamerikanizmi do parë me shumë kujdes, vëmendje të shtuar dhe me gjakftohtësi.
Për fat të keq, individët të cilët shquhen sot si bajraktar antiamerikan, kanë premisa të zhveshjes nga interesi nacional, për hir të politikës ditore.
Pyetja themelore mbetet pa përgjigje.
Cilat janë mjetet legjitime e demokratike në një shtet të themeluar nga kontributi madhor amerikan, për ta kundërshtuar antiamerikanizmin e disa individëve, në shtetin më pro amerikan në botë?
Secili, gjithsesi, ka një përgjigje, por edhe ka ndjenja të përziera për situatën në të cilën kemi rënë, si qytetarë, si shtet dhe si kah i ecjes, ngase nuk i bën shërbim relacionit historik proamerikan të kombit tonë, përkundër ndonjë lëshimi të administratave.
Kujtoni vlerat mbi të cilat u themelua dhe përfaqëson ShBA, presidentin Uashington, Wilson e këndej!