Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ka reaguar të enjten ndaj vendimit të Senatit të UP-së për të mos e avancuar atë në gradë.
“Sot në Senatin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk ka shkuar lënda për votim lidhur me avancimin tim nga profesor asistent në gradën e parafundit akademike. Kthimi i lëndës time në Këshillin e Fakultetit Ekonomik ka ardhur pas një vlerësimi të një organi të quajtur “Komisionit Këshillëdhënës i Rektorit”, ka shkruar Bajrami në rrjetin social Facebook.
Postimi i plotë:
Të zbatohet ligjshmëria, s’ka rrugë tjetër
Sot në Senatin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk ka shkuar lënda për votim lidhur me avancimin tim nga profesor asistent në gradën e parafundit akademike. Kthimi i lëndës time në Këshillin e Fakultetit Ekonomik ka ardhur pas një vlerësimi të një organi të quajtur “Komisionit Këshillëdhënës i Rektorit”.
Gjithçka që ka ndodhur me avancimin tim është te një punim ku unë jam autore korrespodente. Mirëpo, që revista nuk i dallon autorët në punimet që i publikon. Se jam autore korrespodente e punimit është konfirmuar përmes dy formave – përmes konfirmimit me e-mail dhe konfirmimit me dokument të nënshkruar nga drejtori i revistës – por këto fakte s’janë marrë parasysh nga “Komisioni Këshillëdhënës… “ pavarësisht se organet tjera brenda universitetit janë pajtuar me këto fakte. Ka pasur mekanizma jashtë institucioneve që s’janë pajtuar me këtë vlerësim si dhe ka pasur përfshirje edhe të palëve të treta në këtë proces.
Sidoqoftë, po e shpjegoj edhe një herë se i plotësoj të gjitha kriteret ligjore për avancim bazuar në rregullore dhe në Statutin e Universitetit të Prishtinës. Kam 3 punime të indeksuara në revista kredibile të indeksuara në platformat e aprovuara nga Senati i UP. Në dy punimet jam autore e parë ndërsa në të tretin jam autore korrespodente.
Kam aplikuar për avancim vetëm kur kam plotësuar kriteret ligjore.
Në forma zyrtare e jozyrtare kam pasur ‘kërkesa’ të tërhiqem nga konkursi. Këto kërkesa më shumë i kam parë si formë shantazhi dhe kam vendosur të mos i përfilli.
Kam pasur edhe fjalë prej njerëzve që s’kanë asnjë pozitë në UP dhe në institucione se mund të rihapin konkursin brenda vitit. Edhe këto fjalë i kam kuptuar si formë shantazhi. Me lehtësi dhe vendosmëri i kam anashkaluar.
Dhe, sot ju them gjithë qytetarëve dhe sidomos senatorëve: Respektojeni ligjin, statutin e UP-së dhe rregulloret e Senatit.
Pasi ushtroj edhe pozitën e Ministres nuk do ta them më shumë lidhur me avancimin tim por ketë ua lë organeve të Universitetit. /InLajmi/