Katër ligjvënës iranianë janë infektuar me koronavirusin e ri, teksa ky virus po përhapet me shpejtësi në Iran, duke detyruar autoritetet që të anulojnë mbajtjen e Lutjeve të së Premtes në shumë xhami në mbarë vendin.
Mohammad Ali Vakili, anëtar i presidiumit parlamentar, tha përmes një postimi në Twitter se katër deputetë janë infektuar me koronavirusin e ri.
Disa zyrtarë të tjerë të lartë iranianë po ashtu janë infektuar me virusin, përfshirë edhe zëvendëspresidentin iranian, Masoumeh Ebtekar.
Njoftimi se katër deputetë janë infektuar me koronavirusin, vjen në kohën kur numri zyrtar i vdekjeve është rritur nga 8 në 34 vetëm në 24 orët e fundit. Ndërkaq, 388 persona të tjerë janë testuar pozitiv me koronavirusin e ri.
Por, shërbimi persian i BBC-së ka thënë se burimet e saj kanë njoftuar se të patën 210 persona kanë vdekur nga koronavirusi i ri. Ministria e Shëndetësisë në Iran ka hedhur poshtë këto raportime.
Zyrtarët në Iran po akuzohen se po fshehin shkallën e vërtetë të përhapjes së koronavirusit në vend.
Autoritetet anuluan Lutjet e së Premtes për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, teksa Ministria e Shëndetësisë rekomandoi që të gjitha ngjarjet publike, si dasmat dhe funeralet të mos mbahen. Shkollat dhe universitetet, por edhe kinematë, teatrot dhe sallat koncertale janë mbyllur po ashtu, transmeton REL.
Koronavirusi i ri, i emëruar Covid-19 është një sëmundje respiratore. Deri më tani, 83 mijë persona janë infektuar nga ky virus dhe 2,800 persona janë raportuar se kanë vdekur. Shumica e vdekjeve janë raportuar në Kinë, ku ky virus u shfaq së pari në muajin dhjetor të vitit të kaluar.