Një pjesëlojë e furishme i ka mjaftuar Dritës për të vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në futboll.
Të premten në Gjilan, Drita fitoi 4:1 ndaj Drenicës, në ndeshjen e parë të javës së 20-të të kampionatit të Kosovës. Me këtë fitore Drita ka dalë në vend të parë me 40 pikë, sa i ka edhe Ballkani. Ballkani të shtunën (nesër) luan në udhëtim ndaj Prishtinës, në derbin e xhiros.
Kastriot Rexha ka shënuar dy golat e parë për Dritën në takim ndaj Drenicës. Ai fillimisht realizoi në minutën e tetë pas krosimit të Xhevdet Shabanit. Për 2:0 shënoi në minutën e 21-të. Erjon Vucaj ishte asistues në golin e dytë. Epërsia e Dritës u rrit në minutën e 30-të kur shënoi Betim Haxhimusa (3:0).
Drenica në pjesën e dytë ia doli vetëm të ngushtoi rezultatin në 3:1. Alban Shillova shënoi me goditje me kokë në minutën e 61-të, pas harkimit të Genc Hamitit. Fare në fund shënoi Izair Emini (93’) për rezultatin përfundimtar të takimit.
Drenica ka pësuar humbjen e tretë rresht në stinorin pranveror. Renditet e teta me 24 pikë, por mund të bie në zonën që dërgon në kategorinë e dytë.