Komuna e Prizrenit është ndër komunat e rralla në vend, që në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, për çdo vjet shpall Konkurs të rregullt për subvencionimin e aktiviteteve kulturore e sportive, u tha në debatin e sotëm që u organizua në sallën e kuqe të KK, me përfaqësuesit e OJQ-ve, klubeve, dhe grupeve të individëve, shkruan InLajmi.
Pas miratimit të Rregullores për subvencionim nga fusha e kulturës dhe sportit, duke i inkorporuar edhe vërejtjet dhe këshillat e dala nga debati i organizuar me 10.01.2020, me OJQ-të dhe grupet e interesit, me 13 shkurt Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, bëri Thirrje publike për të gjitha OJQ-të e regjistruara në Republikën e Kosovës dhe individët, që veprojnë në komunën e Prizrenit, të aplikojnë për mbështetje financiare të projekteve të tyre nga fusha e kulturës dhe sportit.
Si të aplikojnë OJQ-të dhe individët, në këtë Thirrje publike që vazhdon deri me 6 mars, ishte tema kryesore i debatit të sotëm, me ç’rast koordinatorët për Kulturë dhe Sport të DKRS-së në Prizren, Sazan Cukaj dhe Lulzim Ibri , me anë të slajdeve dhe të bashkëbisedimit, i njoftuan të pranishmit me rrjedhën e plotësimit të formularëve për aplikim.
“Meqë jemi në shërbim të qytetarëve dhe të identitetit kulturor e sportiv të Prizrenit të lashtë, qëllimi i organizimit të këtij debati, ishte që tua lehtësojmë OJQ-ve dhe individëve konkurimin në këtë Thirrje Publike”, – tha për InLajmin Ehat Oreshka, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Prizren. – “Në vitin 2019, aktivitetet kulturore dhe sportive i kemi subvencionuar me mbi 180 mijë euro, të hyra nga taksapaguesit tanë. Ndërkaq, duke u bazuar në zhvillimet aktuale dhe traditat kulturore e sportive të qytetit, për këtë vit kalendarik, varësisht prej buxhetit, kemi planifikuar ta dyfishojmë këtë shifër”, përfundoi z. Oreshka.
Të shtojmë se në këtë Debat, mori pjesë edhe Bahri Zenelaj nga MKRS-ja, i cili të pranishmit i njoftoi për mënyrën e aplikimit në Thirrjen Publike për fushën e kulturës, të shpallur kohë më parë nga Minstria e Kosovës për Kulturë, Rini dhe Sport. Osman Goranci /InLajmi/