Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas situatës së krijuar me njohjen e Kosovës nga Xhamajka, që më pas doli të mos jetë e vërtetë pasi që u mohua nga vetë institucionet e këtij shteti.
Konjufca në një postim në rrjetin social Facebook, ka thënë se Çitaku e ka njoftuar ministrinë e Punëve të Jashtme për njohjen nga Xhamajka, shkruan InLajmi.
Ai thotë ta kenë besuar një informatë të tillë, ngase në rrafshin profesional informata e një ambasadoreje merret si akt i mirëqenë.
Postimi i plotë i tij:
Mbrëmë, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, znj. Vlora Çitaku, përmes postës elektronike e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për njohjen nga Xhamajka.
Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë.
Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatë e krijuar.
Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit. /InLajmi/