Blerta Deliu-Kodra, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila është pjesë e Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë se Qeveria e re nuk duhet të lëshohet në data, pasi në këtë aspekt nuk ka përvojë të mirë nga e kaluara.
Megjithatë Deliu, teksa ka folur për gazetën “Zëri”, tha se Qeveria e re duhet të punojë në drejtim të dy shteteve, peng e të cilave ende mbetet liberalizimi i vizave.
“Personalisht kam kërkuar që ta kemi në komision ministrin e ri. 95 kritere janë përmbushur, sidoqoftë është ende në vullnetin e shteteve, të Francës dhe të Gjermanisë, sepse Këshilli i Ministrave do të vendosë dhe pa e parë qëndrimin e këtyre dy shteteve veç e veç nuk duhet të flitet për data. Duhet të ndodhin shpejt takimet e institucioneve të Kosovës me pjesëmarrës të Francës dhe të Holandës për të thelluar bashkëpunimin dhe për ta konfirmuar edhe një herë angazhimin që ka bërë Kosova ndër vite për këtë proces”.
Më tutje Deliu-Kodra ka thënë se pret që ta kenë një agjendë të re, që si parti politike dhe si deputetë të Parlamentit të bashkëpunojnë me ministrin Reka se si t’i qasen liberalizimit të vizave.
Ajo tha se Qeveria duhet të bëjë progres në mekanizma tjerë, pasi Kosova ka disa marrëdhënie kontraktuale me BE-në. “Qeverisë së re dhe institucioneve u mbetet të bëjnë përparim dhe progres në mekanizmat tjerë, sepse Kosova ka një marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, që është MSA-ja, pastaj është pjesa tjetër, që është Agjenda e Reformave Evropiane, janë fondet e BE-së. Prandaj duhet të vazhdojë përkushtimi i institucioneve që të punohet edhe në drejtime tjera”, është shprehur ajo.