Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR Kosovo) organizoi një protestë para zyrës së avokatit Tomë Gashi, për të kundërshtuar siç thanë ata sjelljen e tij abuzive që bëri ditë më parë ndaj një lypsari në shesh të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Me pankarta në duar “Ti a po na mbron a po na shkelë, “Detyrë shtëpie mëso te drejtat e njeriut”, ata protestuan para zyrës se avokatit Tomë Gashi.
Njëra ndër organizatoret e kësaj proteste, Blendë Pira tha se dënojnë veprimin e avokatit Tomë Gashi, teksa kërkuan që këto veprime të mos përsëriten më asnjëherë.
“Sot jemi mbledh për te shprehur indinjatën tonë për veprimin e Tomë Gashit. Një video është bërë virale që avokati Tomë Gashi ka qenë duke shkelmuar paratë e një personi që ka qenë duke kërkuar lëmoshë. Ne dënojmë ashpër veprimin dhe aktin e tij. Do të avokojmë për të drejtat e njeriut edhe ndaj veprimeve të tilla që mos të përsëriten. Nuk do lejojmë veprime të tilla te mbesin në harresë. sepse kjo është legjitimim i këtij veprimi, si të rinj dhe si pjesë e shoqërisë civile do të jemi të zëshëm ndaj veprimeve të tilla. Askush s’ka të drejtë të marrë drejtësinë në dorë janë organet kompetente për këtë punë”, tha ajo.
Gjatë mbajtjes së protestës, para hyrjes së zyrës së Tomë Gashi kanë qëndruar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.