Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në edicionin e dytë të Konventës së Prodhuesve të Kosovës, organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.
Duke folur para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se përkundër vështirësive dhe pengesave të shumta me të cilat përballen ata, e që janë të shumta edhe në numër edhe në lloj, kanë vendosur që të investojnë dhe të punojnë në Kosovë.
“Nga unë si kryeministër dhe nga qeveria që unë drejtoj ju do të keni vëmendjen maksimale, prandaj pres që edhe nga kjo konventë të dilni me rekomandime të cilat ne do t’i kthejmë në veprime konkrete:, deklaroi ai, derisa veçoi se prodhuesit tanë janë edhe shtylla e shoqërisë, jo vetëm e ekonomisë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Përshëndetje të gjithëve,
Të nderuar zotëri Osmani dhe zotëri Panxha,
Të nderuar prodhues e afaristë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut e nga mërgata,
E nderuara ministre Hajdari,
Përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale,
Zonja e zotërinj, të nderuar të pranishëm,
Ju faleminderit për ftesën që më keni bërë, është vërtetë kënaqësi të jem këtu me juve sot në edicionin e dytë të Konventës së Prodhuesve të Kosovës dhe dua t’ua them se jeni duke bërë një punë tejet të rëndësishme në promovimin e prodhuesve dhe produkteve vendore.
Prodhuesit tanë janë edhe shtylla e shoqërisë, jo vetëm e ekonomisë.
Përkundër vështirësive dhe pengesave të shumta me të cilat përballeni ju, e që janë të shumta edhe në numër edhe në lloj, keni vendosur që të investoni dhe të punoni në Kosovë.
Nga unë si kryeministër dhe nga qeveria që unë drejtoj ju do të keni vëmendjen maksimale, prandaj pres që edhe nga kjo konventë të dilni me rekomandime të cilat ne do t’i kthejmë në veprime konkrete.
Më lejoni të flas shkurt për tri çështje: për programin qeverisës në mbështetje të prodhuesve vendor; për reciprocitetin tregtar dhe ekonomik; si dhe, për nevojën për prodhime vendore.
Së pari, ne i shohim ndërmarrësit si partner kyç në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin ekonomik, prandaj do të heqim barrierat e të çlirojnë potencialin tonë.
Do të sigurojmë një ambient të barabartë duke hequr monopolet, duke eliminuar evazionin fiskal, por edhe duke siguruar furnizimin me energji elektrike me çmim të përballueshëm.
Pra, së pari, do të bëjmë veprime me të cilat e nivelizojmë garën sepse një biznes nuk mund të rrisë prodhimin nëse operon në kushte të pabarabarta në treg. Pabarazia të dekurajon për garën.
Do të identifikojmë sektorët me potencial të rritjes së prodhimit e rrjedhimisht të punësimit.
Ju keni vite që më keni thënë se ajo që ju mungon është konkurrenca fer dhe mungesa e qasjes në financa, sepse, idetë dhe inovacionin i keni.
Tash erdhi dita që t’i bëjmë këto të dyja: edhe të heqim monopolet e të barazojmë garën, por, edhe të ofrojmë qasje në financa që ju të rriteni e të forcoheni.
Nuk e di se si i keni parë ndërtesat e zyrat e qeverisë e qeveritarëve deri dje, por sot ato janë në shërbim tuajin, prandaj mos hezitoni të na këshilloni e të na korrigjoni sepse ne jemi aty që t’ju ndihmojmë juve.
Me Fondin Zhvillimor do të ofrojmë mbështetje për prodhuesit vendorë për të shtuar cilësinë dhe kapacitetet për të rritur punësimin dhe për të zgjeruar tregun.
Mbështetje do të ketë për secilin sektor prodhues.
Ministria e Bujqësisë së shpejti do të filloj me riorganizimin e plotë të skemës së subvencioneve dhe të granteve, bazuar në kritere të qarta dhe transparencë të plotë, duke nisur me mbështetjen në produktivitet (sasi të prodhimit) e jo në sipërfaqe, në mënyrë që të përkrahet rritja e produktivitetit.
Po ashtu do të lehtësohet qasja në fonde për bujq nëpërmjet rritjes së mbulueshmërisë së kredive nga Fondi për Garantim të Kredive.
Ne nuk mund të parandalojmë fatkeqësitë natyrore por mund të krijojmë fond për kompensim të dëmeve kur ato ndodhin, prandaj do të fillojmë përgatitjet për themelimin e Fondit të Sigurimeve Bujqësore.
Do të investojmë në sisteme të ujitjes të tokave dhe në sigurimin e çmimeve minimale për produkte bujqësore nga ana e shtetit. Për prodhimet e atyre që punojnë duke i shndërruar tokat në ara, duhet të ketë çmime dysheme.
Investime të huaja në Kosovë ka pak sepse ka pasur shumë korrupsion dhe pak mbështetje. Korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit, e shoqëruar me monopolet për kompani të caktuara ka dëmtuar imazhin dhe ka frikësuar investitorët potencial. Nga studime të cilat janë bërë del se mungon raportimi për korrupsionin. Unë besoj që kjo nuk ndodh pse njerëzit frikësohen, sa njerëzit e ndjejnë kotësinë e raportimit. Pra, nuk është se i frikësohen hakmarrjes nëse raportojnë, sa kanë hall që s’do të bëhet asgjë edhe kur do të raportojnë. Prandaj sistemi i drejtësisë duhet të jetë efikas, meqenëse është bindja ime se ai është më shumë pasiv sesa i keq.
Këtë pra do ta ndryshojmë ne. Dhe, luftimi i korrupsionit, pamundësimi i ryshfeteve është i domosdoshëm për besimin, për sigurinë. Pasivitetin dhe dyshimin duhet ta zëvendësojmë me besim dhe stabilitet.
Ne gjithashtu kemi një diasporë të fuqishme të cilën siç e dini të gjithë ju është më shumë brenda se jashtë. Ajo ka vullnetin dhe kapitalin kurse tash do të kenë edhe mundësinë që të investojë në vendin e vet.
Së dyti, do të zëvendësojmë tarifën 100% dhe do të zbatojmë reciprocitetin e plotë tregtar me Serbinë sikurse me secilin shtet. Tarifa ka qenë vendim i qeverisë së kaluar. Ne nuk jemi për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve. Produktet që prodhohen në Kosovë e të cilat i nënshtrohen praktikave dhe konkurrencës jolojale do të mbrohen.
Parimet e reciprocitetit që do të nxjerrën nga Qeveria e Kosovës do të jenë të bazuara ne parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe në CEFTA.
Me mua sot është ministrja e ekonomisë, punësimit, tregtisë, industrisë, ndërmarrësisë dhe investimeve strategjike, znj. Rozeta Hajdari e cila ka bërë disa hapa të cilët na sjellin edhe më afër heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit të plotë.
Rozeta tashmë ka marrë vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Dogana, AVUK-u dhe Klubi i Prodhuesve te Kosovës. Ky grup do të përmbledhë te gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të vijë me rekomandim te qeveria.
Porsa të vijnë në zyrën time këto rekomandime do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit.
Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe do të veprojmë si të tillë.
Për çështjet e ekonomisë unë do të jem me juve dhe për juve, sepse për qytetarët e vendit tonë dhe për ekonominë vendore. Nuk do të marr vendime për ekonominë e prodhimtarinë pa diskutuar e pa u konsultuar njëherë me juve. Ekonomistët e qeverisë nuk mund të kenë prioritet ndaj ekonomisë prodhuese.
E treta është siguria e produkteve.
Mbrojta e prodhuesve vendor sot shkon përtej punësimit dhe zhvillimit ekonomik dhe prek shëndetin e konsumatorit.
Po jetojmë në një kohë ku lëvizja e njerëzve dhe e mallrave është më e madhe dhe më e shpejtë se kurdoherë dhe kjo i ka sjellë edhe rreziqet e veta.
Një lodër që prodhohet me përmbajtje të rrezikshme në Kinë apo Brazil vjen shumë shpejt në duar të fëmijëve tanë sikurse që vjen një produkt ushqimor.
Natyrisht ne duhet dhe do të shtojmë kontrollin e ushqimit por akoma më mirë është që ne ta prodhojmë ushqimin.
Mbrojtja e prodhuesve vendor e sidomos prodhuesve ushqimor është jo vetëm çështje ekonomie por çështje e sigurisë tonë kombëtare. Kështu duhet ta trajtojmë, sepse e tillë është, sepse ne nuk mund të varemi për produkte kaq bazë nga importi enorm. Një shtet që varet shumë te të tjerët nuk është shumë i pavarur. Ju të gjithë e dini se çfarë deficiti tregtar ka Kosova. Ne nuk do të mund të rikëmbemi as si shtet demokratik se lëre më si ekonomi e zhvilluar me këtë deficit tregtar që mbërrin diku 40% e bruto produktit vendor. Merreni me mend, nëse i mbledhim bashkë investimet kapitale dhe eksportin, bëjnë përafërsisht sa importi. Praktikisht, bruto produktin vendor e kemi sa konsumi, të cilin përgjithësisht na e financon mërgata jonë. Mërgata jonë e financon konsumin tonë, e financon deficitin tregtar, na e bën bruto produktin vendor. Prandaj, po them, ajo është më shumë brenda se sa jashtë.
Struktura e ekonomisë së vendit tonë është si e një vendi të Lindjes së Mesme që është i pasur me naftë, por me dallimin që ne s’kemi naftë. Ne e kemi mërgatën. Ne e kemi mërgatën, e cila na mundëson që ne t’i blejmë mallrat e panumërta të importit. Dy të tretat e buxhetit i mbledhim në kufi, si në mesjetë: detyrimi doganor, TVSh-ja edhe akciza janë dy të tretat! Pra, ne duhet ta modernizojmë ekonominë tonë. Modernizimi i ekonomisë kalon pikërisht nëpërmjet prodhimit vendor. Fjala modernizim nuk lidhet vetëm me teknologji. Modern nuk je pse ke telefon mobil, por pse i ke marrëdhëniet moderne. Marrëdhëniet në ekonomi duhet t’i kemi moderne, jo feudale. E marrëdhënie moderne bëhet atëherë kur e rrit prodhimtarinë, kur prodhon, kur krijon, e jo vetëm konsumon.
Ne sot pak e dimë se çfarë hamë e çfarë pijmë e nuk e dimë se si e prodhohen e në ç’kushte prodhohen ato që hamë e pimë.
Një pjesë e madhe e sëmundjeve shkaktohen pikërisht nga ushqimi i keq dhe i pakontrolluar, dhe kjo jo vetëm që rrezikon jetën e qytetarëve por edhe sjellë më vete një kosto shtesë për shërbimin tonë shëndetësor të cilin duhet ta paguajnë qytetarët.
Pra, më mirë të zgjedhim që të shpenzojmë më shumë në mbështetje të prodhuesve vendor ku edhe rrisim punësimin edhe cilësinë e ushqimeve se sa të shpenzojmë në faturat e shpenzimeve spitalore.
Të nderuar të pranishëm,
Vetëm 8% e transportit në botë është transport i ushqimit. Shumica dërrmuese e ushqimit prodhohet jo larg prej vendit ku konsumohet, është përgjithësisht prodhim vendor ushqimi. Transporti është ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në botë. Sa më pak që transportojmë ushqim në botë, aq më mirë për mjedisin dhe, rrjedhimisht, aq më i shëndetshëm mjedisi prej nga edhe na vjen ushqimi.
Të gjithë ne e dimë se shteti nuk është vetëm administrator e ekzekutor e legjislativ e gjyqësor, por është edhe konsumator. Shteti është konsumator dhe kjo duhet të reflektohet në prokurimin publik. Nuk mundet një politikan, e para së gjithash e mbi të gjitha unë si kryeministër i Republikës së Kosovës, të them konsumoni qytetarë të republikës prodhime vendore, e këtë mos ta bëj edhe shteti! Nuk mund t’i themi qytetarëve konsumoni prodhime vendore e shtetit konsumo prodhime të huaja. Edhe qytetari edhe shteti duhet të konsumojnë prodhime vendore. Jo qytetari pa shtet, jo shteti pa qytetar, por edhe qytetari edhe shteti.
Tani më lejoni të flas edhe dy fjalë për idenë e mini-shengenit të cilën ju e keni pasur temë sot.
Siç e kam theksuar në Tiranë me 11 shkurt, ne do të angazhohemi për bashkëpunim tregtar me Shqipërinë. Nëse me të tjerët duhet të negociojmë shumë për të hequr pengesat e barrierat e panumërta sepse ka më shumë interesa sesa vullnet, kjo nuk do duhej të ndodhte mes Kosovës e Shqipërisë. Mes Kosovës e Shqipërisë ka vetëm një interes, e ai është i bashkëpunimit të plotë.
Unë besoj se ashtu siç ka vullnet për të hequr barrierat e kontrollit të vizitorëve gjatë kohës së pushimeve verore mund të ketë e duhet të ketë vullnet edhe për produktet e prodhuesve andej e këndej kufirit.
Unë ju përgëzoj shumë për punën që bëni dhe ju uroj punime të mbara sot, edhe shumë edhe edicione edhe prodhime klubit të prodhuesve dhe gjithë prodhuesve të vendit tonë./InLajmi/