Kryeministri Albin Kurti ka përjashtuar mundësinë që Qeveria e tij të bije shkaku i çështjes së presidentit.
“Jemi marrë vesh me LDK-në se do të merremi vesh, dhe se do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të mos bie qeveria jonë për shkak të çështjes së presidentit”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë se për dialogun me Serbinë ka nevojë për diskutim edhe me presidentin Hashim Thaçi.
“Të jetë një takim kur ne i shtrojmë këto gjëra, sepse nuk mund të lejojmë që shteti i Kosovës që sulmohet aq shumë, të ketë zëra të ndryshëm. Meqenëse nuk u takuam deri tash i bëj ftesë presidentit që të takohemi për t’u dakorduar për të gjitha proceset ndërkombëtare. Fundja edhe një letër e Trumpit drejtuar presidentit Thaçi kërkon zë të unifikuar”, ka apeluar Kurti.
Për dialogun me Beogradin, kryeministri Kurti ka thënë se duhet parë kornizën brenda të cilit do të zhvillohet ai.
“Kemi pesë personalitete të kornizës, agjendës së orarit. Nuk jemi afër negociatave, shumë gjëra duhet të sqarohen. Pse ulemi në Procesin e Berlinit nuk do të thotë se po negocioj se pse ulemi në të njëjtën tavolinë. Që të ulem në një tryezë tashmë ka ndodhur, por ata nuk kanë ndodhur. Është dashur që të jem në një panel me Vuçiqin, ai nuk erdhi. Kësilloj diskutimesh që bëhen moti kam shprehur gatishmëri, por ata nuk kanë ardhur. Këto kushte duhet të diskutohen në përgatitjet për dialogun. Do të ketë dialog për dialogun”, ka thënë Kurti. Më tej, ai ka thënë se Qeveria aktuale serbe nuk ka legjitimitet që ta rinisë dialogun.
“Dialogu i vërtet për zgjidhjen e problemit nuk e shoh si mund të bëhet pa legjitimitet të Qeverisë në Serbi, sepse atje ka zgjedhje. Mendoj se ai duhet të jetë pjesë e procesit, pasi është president, derisa të jetë president. Nuk dua që ai të përjashtohet nga procesi, por ai nuk mund të udhëheqë me procesin”, ka potencuar Kurti.
Duke folur për qëndrimin e të dërguarit të presidentit Trump, Richard Grenell, i cili po insiston në heqjen e taksës ndaj produkteve nga Serbia e Bosnje e Hercegovina, kryeministri Kurti ka thënë se ky diplomat “ka shumë energji edhe nuk ka qëllim të keq”.
Megjithatë, sipas tij, çështjet në Ballkan dhe raportet Kosovë-Serbi janë pak të ndjeshme. Në këtë kontekst, Kurti ka pohuar të ketë dëshmuar vullnet për ta hequr taksën.
“Unë kam treguar vullnet për heqjen e tarifës 100 për qind dhe kjo të bëhet posa të vendoset parimi i reciprocitetit. Nuk besoj se ka nevojë edhe taksë edhe reciprocitet. Ne dëgjohemi me njëri-tjetrin shumë, dhe s’do të thotë se pajtohemi për gjithçka. Parimin e Reciprocitetit do të elaborojmë. Trumpi kishte deklaruar se reciprociteti është fjala ime e favorshme. Ta zëmë Kosova mund ta zbatojë reciprocitetin por nuk po e bënë. Me targa të Kosovës nuk hynë dot në Serbi. Këtë do të mund ta bënte edhe Republika e Kosovës, dhe kështu është reciprociteti. Ne kemi të drejtë të mos lejojmë mauna të Serbisë sepse nuk kemi marrëveshje për transportin rrugor. Ne po shkojmë ngadalë, mençur, sigurt dhe do të elaborojmë saktë se çfarë i bie reciprociteti”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se fushata për çnjohjen e Kosovës është projekt shtetëror, sipas ministrit të jashtëm serb.
Megjtihatë, ai ka thënë se ka shumë punë.
“Serbia nuk është prioriteti as numër një, as numër dy. Unë kam garuar me tjera gjëra. Në shumë aspekte Kosova është shtet më normal se Serbia. Do të angazhohem me gjithë kapacitetin që kam që me të vërtetë të arrijmë këto. Unë nuk e kam ndërmend Serbinë që të na njohë”, ka theksuar Kurti.
Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka mohuar që do të spastrojë administratën.
“Ne do të bëjmë gjithçka që të kemi rokada e jo përjashtime, nuk besoj se administrata civile nuk është e aftë për diçka tjetër”, ka sqaruar Kurti.
Sipas tij, do të rritet numri i inspektorëve.
“Nuk duam të përjashtojmë askë, pasi shpëtimi i Kosovës nuk bëhet përmes përjashtimit”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë se marrëveshja për qeverinë, nuk është e Rashkës, por e Kuvendit të Republikës së Kosovës.“Marrëveshja e jonë nuk është e marrëveshje e Rashkës, por këtë e kemi bërë në Kuvend të Republikës, pra kemi diçka të re, plus për herë të parë nuk kemi zëvendëskryeministër serb”, ka thënë Kurti.
Sipas tij edhe te përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës vërehet njëfarë lloj ndryshimi dhe gatishmërie për bashkëpunim e kolegjialitet. Shefi i ekzekutivit ka thënë se Lista Serbe ka vepruar një kohë të gjatë si instrument i Beogradit, porse ka ndryshime.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, sipas Kurtit, për asnjërën nga tetë pikat që janë miratuar, përfaqësuesit serbë nuk kanë votuar kundër.
“Unë nuk e marrë dot rrogën 2950 euro e të shkoj në shtëpinë time. Në këtë vend të varfër nuk bën ajo. Ajo pagë e tillë ndikon keq edhe në mua”, ka thënë Kurti.
Megjithatë, sipas tij do ta respektohet çfarëdo vendimi që do të dalë nga Kushtetuesja për çështjen e Ligjit të pagave.
“Ne do ta respektojmë ligjin gjithmonë, vendimet e padrejta do t`i anulojmë me vendime ta drejta”, është shprehur Kurti.
Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për emisionin “Rubikon”, në KTV, ka thënë se ulja e pagave të kabinetit më shumë ka efekt etik të brendshëm se sa efekt financiar.
Sipas tij, nevojitet një politikë që s`e nxjerr etikën jashtë politikës.
“Jemi në një situatë kur kemi gjakderdhje financiare, kjo duhet ndalet. Po veprojmë me fasha sikur në QKUK. Infermieri sikurse puna jonë duhet të jetë legjitim dhe kredibil, duhet t`ia ndalë gjakderdhjen edhe vetes”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Minishengeni Ballkanik është një intencë e Serbisë për Jugosllavinë e katërt, e sipas tij ajo ide paraqet rreziqe.Ai ka thënë se pas vizitës në Shqipëri do ta vizitojë edhe Gjermaninë.
“Dhjetë ditë kalendarike kanë qenë edhe dhjetë ditë punë dhe me të vërtetë s’jemi ndalur. Në Shqipëri është edhe më e kollajshme të bëhet vizita e parë pasi jemi aq afër, e aq të afërt, e pas kësaj do të shkojë në Gjermani e Londër e të tjera. Më ka marrë nja dy ditë t’ia shtrëngoj dorën secilit në kryeministri”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se takimi me Ramën ishte më konstruktiv ndër vite.
“Ne kemi dallime, por ky ishte takimi më konstruktiv dhe më i miri në një kohë shumë të gjatë. Ky mund të jetë një fillim i ri në raportet e dy vendeve tona, e nga pak janë dëmtuar edhe me gjëra personale, në mënyrë absurde pasi kjo ka të bëjë me popujt tonë e jo me ne. Dakordimi jonë me një Komision Ndërshtetëror është rruga e parë. Numri më i madh i marrëveshje nuk janë zbatuar plotësisht, por ka nevojë për një dinamizëm të re dhe këtë besoj se do ta bëjmë. Nëse kemi pengesa duhet t’i themi dhe të merremi vesh si do t’i kalojmë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se për Minishengenin Ballkanik është edhe një interes i Rusisë.
“Në formimin tim politik historia është e rëndësishme. Para më shumë se sa një shekulli Rusia cariste ka krijuar aleanca për të shkatërruar dy perandori dhe ia ka dalur. Pas një shekulli ne duhet të krijojmë një aleancë. Shqiptarët janë në epiqendër, në njërën anë kanë kroatët, e Bullgarët, por edhe Sarajevën e Podgoricën. Nëse e vëreni hartën e tendecave sidomos në hartën e Ballkanit kemi për një partneritet të tillë, por që nuk mund të fillojë me Serbinë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij intenca e Serbisë është krijimi i Jugosllavisë së katërt.
“Më duhet të jem i sinqertë se Minishengeni Ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Minishengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi ka rreziqe përtej atyre buzëqeshjeve. Mendoj se ka qenë shumë më i relaksuar para dy viteve se sa që ka qenë sot, e sot Rama është më i vëmendshëm se sa që ishte para një viti. Intencat e Serbisë që po i shohim sërish në Mal të Zi, janë evidente”, ka thënë Kurti.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të marrë pjesë në takimin e radhës të Minishengenit Ballkanik, por me pak gjasa dhe një vendim i tillë do të bëhej me një vendim të kabinetit të tij qeveritar.
“Duhet ta diskutojmë në Qeverinë e Kosovës për çdo gjë. Duhet të presim dokumentacionin e kësaj ideje dhe jam që të zhvillojmë disa kontakte paraprake para se të ulemi në një takim të katërt. Apriori nuk është e mençur të them se nuk e pranoj, por nuk do të thotë se kam ndryshuar radikalisht. Nuk kemi parë shumë nga këto tri takime. Nëse ma mbush mendjen dhe qeverisë së Kosovës natyrisht se po, por jo pa një trajtim të vëmendshëm të asaj se çfarë kanë bërë”, ka thënë ai.
Sipas tij gjithçka do të kthehet te Procesi i Berlinit.
“Që nga qershori i vitit 2017 kemi dhënë qëndrimin tonë se Procesi i Berlinit, ndonëse edhe ai ka rreziqet e veta, është ajo ku duhet të marrim pjesë pasi Kosova është e barabartë me të tjerët, dhe besoj se aty duhet të marrim pjesë. Nuk duhet të shkojmë në tryeza ndërkombëtare pa një bashkërendim kombëtar. E këtë e kam diskutuar me krerët në Shqipëri”, ka thënë Kurti.
Sipas tij Makroshengeni shqiptar mund të zbatohet shumë shpejt.
“Kjo makroshengeni shqiptar nënkupton një liberalizim të gjithanshëm shqiptar. Minishengeni ballkanik është një ide që nuk është zbatuar, derisa ai shqiptar mund të zbatohet shumë shpejt. Iniciativat e tilla nuk kanë t’ia mbajnë pa u kthyer te Procesi i Berlinit”, ka thënë Kurti, raporton KTV.
Kurse për qëndrimet serioze të tij dhe Ramës në Tiranë ai ka thënë se, “ndoshta mund të lexohet edhe si shprehje serioziteti, dhe që e kuptojnë se te pozicionet tona ka përgjegjësi të madhe. Ka pasur gjëra nuk jemi pajtuar, por që nuk janë të pakalueshme”.