Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu, ka mbajtur takimin e parë njoftues me udhëheqësit e Agjencive dhe Departamenteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Me këtë rast, ministri Veliu, para menaxhmentit të lartë të Ministrisë theksoi se është i bindur se gjatë këtij mandati do të ketë një bashkëpunim të mirë, të bazuar në mirëbesim, transparencë dhe llogaridhënie.
“Jam i njoftuar për rezultatet e shumta pozitive që janë arritur në të kaluarën qoftë në Ministrinë e Brendshme dhe atë të Administratës Publike. Mirëpo në të njëjtën kohë, jam i vetëdijshëm që të dy këto institucione janë ballafaquar me sfida, të cilat unë si Ministër në bashkëpunim të plotë më të gjithë ju do t’i adresojmë në mënyrën sa më të mirë”- tha ministri Veliu.
Sa i përket bashkimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me atë të Administratës Publike, ministri Agim Veliu bëri të ditur se të gjitha paqartësitë e mundshme pritet të sqarohen shumë shpejtë, duke mos penguar funksionimin e rregullt të ministrisë dhe agjencive./InLajmi/